Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja, i njohur për kritikat ndaj qeverisë Rama e partive tradicionale, ka folur dje për dështimin e bisedimeve për zgjidhjen e krizës dhe për mundësinë e kandidimit të tij si “president konsensual”.
Sipas Zotit Lubonja një ndër problemet kryesore për gjendjen ku ndodhet Shqipëria, është personalizimi i institucioneve nga Kryeministri Rama dhe mungesa e vullnetit të mirë për të ndryshuar Shqipërinë.
I pyetur për zërat që qarkullojnë në media, se Zoti Lubonja mund të jetë një kandidaturë e mirë për President konsensual, ai u përgjigj se kjo do të ishte e mundur vetëm në rastin e një qeverie me vullnet të mirë e të gjithëpranuar.
Në një intervistë për “News24”, ndër të tjera, Zoti Lubonja deklaroi:
Për dështimin e negociatave:
- Është skandaloze kjo që ndodhi me Ramën, që deklaron se “i heq disa ministra menjëherë, vetëm unë të mos iki nga kryeministër”.
- Ç’do më thënë kjo në thelbin e vet? Mos iki unë por të ikin ministrat, të ikë policia. Kjo tregon se tek ne institucionet janë personalizuar, rëndësi ka që është kryeministri, të tjerët janë vegla.
- Kjo [situatë] duhet të ndryshojë. Duhet të jenë institucionet më të forta se personi.
- Mendimi im në thelb është ky: duhet një qeveri e vullnetit të mirë, por për fat të keq [palët] nuk e kanë këtë vullnet të mirë që të njohin të gjitha përgjegjësitë për këtë situatë ku është Shqipëria.
Për kandidaturën e tij për President:
- Pozicioni im ka qenë që kam kritikuar vazhdimisht këto parti si banda dhe duhet një marrëveshje shumë e madhe të arrish të bëhesh nga një kontestues i bandave, në një njeri që përfaqëson bandat.
- Kur merr një rol të tillë [si President] nuk shkon aty për lavditë, por me mendimin “a ndryshoj dot ndonjë gjë për mirë me këto ide që kam apo do më hiqet mundësia t’i i them këto gjëra?”
- Pra, sa mundësi ka një President të ndikojë në ndërtimin e një ekonomie vërtet të shëndoshë e jo kriminale, siç është në Shqipëri? Sa ka mundësi [Presidenti] të ndryshojë drejtësinë?
- Në këtë kuptim, vëtëm nëse ka një zhvillim, një qeveri të vullnetit të mirë për të ndryshuar Shqipërinë, mund të të fuste në lojë.