Fëmijët të pambrojtur nga koronavirusi, në shkolla pa ujë e sapunë

Nga Exit News
Fëmijët të pambrojtur nga koronavirusi, në shkolla pa ujë e sapunë

Shkollat dhe universitetet nuk kanë ujë apo sapunë në tualete, duke mos shërbyer kështu as masën minimale të higjienës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit: larjen e shpeshtë të duarve.

Një reportazh i Top-Channel tregoi se nxënësit dhe studentët janë të pambrojtur përballë rrezikut të koronavirusit dhe si masë higjienike kanë vetëm dezinfektuesit dhe letrat e lagura, të cilat i marrin me vete.

Prindërit dhe nxënësit ankohen se në shkolla tualetet janë të papërdorshme, nuk kanë ujë dhe as sapunë për të larë duart. Fëmijët këshillohen të mos i përdorin ato.

Situata paraqitet e njëjtë edhe në universitete, ku studentët tregojnë se, në mungesë të kushteve minimale, në tualete përdorin letrat e lagura.

Ditën e mërkurë, në mbledhjen e Task-Forcës kundër koronavirusit, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kërkoi masa shtesë në shkolla. Ajo i bëri thirrje për bashkërendim Ministrisë së Arsimit dhe bashkive.

Prej kur u pikas rasti i parë në fund të vitit 2019, koronavirusi ka mundur të shpërhapet në më shumë se 80 shtete duke infektuar mbi 95 mijë persona dhe duke shkaktuar mbi 3 mijë viktima.

Italia fqinje raportoi së fundmi 41 viktima në 24 orë , me bilancin që shkoi në 148 që kur u shënua rasti i parë në fund të shkurtit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>