Ndryshe nga pretendimet e qeverisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pohon se klima e biznesit në Shqipëri nuk është e mirë. Për të disatën herë, edhe në raportin e djeshëm, FMN shprehet kritike për mbarëvajtjen e reformave të qeverisë dhe këshillon përballjen e problemet kryesore që ndikojnë klimën e biznesit.
Ndër të tjera, raporti thekson:
“Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të rajonit në lidhje me përmirësimin e klimës së biznesit. Këtë e tregon dhe renditja më dobët se vendet e tjera të rajonit në raportin “Të bësh biznes” të Bankës Botërore.
Opionionet e marra në vrojtomet e sipërmarrësve tregojnë se vështiresitē kryesore qē ata ndeshin janë sistemi dhe procedurat e ndërlikuara tatimore, institucionet e dobëta, infrastruktura e varfër dhe sistemi gjyqësor i cili nuk mbron të drejtën e pronës dhe pengon sundimin e ligjit.
Reformat kyçe për përmirësimin e klimës së biznesit—sidomos reformat në lidhje me të drejtën e pronësisë, zgjidhjen e kredive të këqija dhe përmirësimin e qeverisjes—kanë mbetur prapa.
Për pasojë janë të nevojshme reformat strukturore për përmirësimin e klimës së biznesit , si miratimi dhe zbatimit i reformës në drejtësi, forcimi i të drejtës së pronës, përmirësimi i infrastrukturës dhe rritja e shumëllojshmërisë së eksporteve.”
Ndërkohë, Kryeministri Rama dhe Ministri i Financave Ahmetaj duket se e shohin ndryshe realitetin ekonomik dhe klimën e biznesit.
Dy ditë më parë, në një mbledhje të Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kryeministri Rama u shpreh:
“Të më thoni mua se klima e biznesit sot është e përkeqësur, kur 32 muaj më parë nuk merrenin asnjë TVSH pa paguar të paktën 50 për qind, kjo është e tepruar. Të më thoni mua që administrata tatimore, sot, përbën një problem të atillë që mund të lexohet si përkeqësim i klimës së biznesit, kjo është e tepruar.
Funksionimi i administratës tatimore e doganore ka dhënë përmirësime të mëtejshme. Me po të njëjtin sinqeritet dhe ndershmëri që jam gati të ballafaqohem me këdo.”
Një javë më parë, edhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj, iu drejtua sipërmarrësve me fjalët, “shijojeni pranverën e lënies prapa të krizës!”
Por përfaqësuesi i FMN-së Jens Reinken iu përgjigj Ministrit Ahmetaj në mënyrë direkte dhe duke lënë mënjanë diplomacinë: “Kur unë flas me përfaqësues të sektorit privat marr përshtypjen se ata nuk janë në humor për të shijuar ndonjë gjë.”