Pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët ndihmuan në gërrmimet nën rrenojat e Durrësit dhe Tiranës kanë kujtuar sot përjetimet e tyre në një intervistë për Kosova Press.
Gjeneral Rrahman Rama, komandanti i FSK-së:
“Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë se e kemi kryer detyrën dhe punën tonë, nuk kemi bërë më shumë se vëllai për vëllain që bën”.
Rreshter-major Lulëzim Rexhepi, nënoficeri i parë i kompanisë së kërkim-shpëtimit:
“Ne jemi nisur menjëherë pas urdhrit, më 26 nëntor, kemi arritur atje, dy ditët e para dhe një natë kemi vepruar pa ndërprerë gjatë aksionit në kërkim dhe shpëtim, nxjerrje të njerëzve, […] ka qenë punë e mundimshme, e lodhshme e stresuese por mbi të gjitha ia kemi arritur qëllimit për çka edhe kemi shkuar atje.
Kemi pas rast që kemi kërkuar e kemi nxjerrë dy persona që kanë humbur jetën dhe një person të gjallë nga gërmadhat në Durrës.
E dhimbshme çka kemi parë të familjarët, i dëgjonim se flisnin për familjarët e tyre që i kanë nën rrënoja, ka qenë prekëse sepse kemi hasur edhe në trupa të gjallë nën rrënoja dhe me të nxjerrë për shkak të plagëve të mëdha që kanë pasur, dhe shtypjeve nga pllakat e ndryshme të betonit, kanë ndërruar jetë, kemi nxjerrë gjithashtu edhe viktima gjë që ka qenë emocionuese dhe prekëse për ne, por jo asesi që ne të ndalim kërkimin dhe të biem në ndikimin e emocioneve, kemi vazhduar punën pa ndërprerë deri në nxjerrjen e trupit të fundit nga rrënojat”.
Rreshter Adnan Krasniqi, i cili shërben në togun e kërkim-shpëtimit urban:
“Nuk e kam pritur ashtu, gjendja ka qenë më e rëndë se çfarë e kemi pritur por duke e ditur profesionalizmin tonë dhe trajnimet që ne i zhvillojmë për të qenë profesionalë në këto detyra dhe të ballafaqohesh me këto detyra, normal që kemi arritur të kemi sukses edhe pse ka qenë prekëse sigurisht, edhe ne jemi njerëz dhe kemi familje, gjendja ka qenë alarmante aty nga banorët, nga paniku, njerëzit nën rrënoja mirëpo assesi nuk biem në ndikimin e emocioneve dhe ta humbim ne profesionalizimin tonë në detyrën dhe misionin që e kemi pasur aty”.
Në dhjetor të vitit që shkoi, pjesëtarët e FSK-së pranuan nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekoratën e Artë të Shqiponjës, në shenjë falënderimi për ndihmën e dhënë pas tërmetit në Shqipëri.