Franca do të rrisë përkohësisht praninë e saj ushtarake në Mesdheun Lindor për të mbështetur Greqinë në mosmarrëveshjen e saj të vazhdueshme me Turqinë.
Lajmin e konfirmoi të enjten Ministria e Forcave të Armatosura franceze.
Vendimi erdhi pasi Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të mërkurën se “vendimet e njëanshme të Turqisë për eksplorimin e naftës po shkaktojnë tensione”. Macron shtoi se ai kishte “vendosur të forcojë përkohësisht praninë ushtarake franceze në Mesdheun Lindor në ditët në vijim, në bashkëpunim me partnerë evropianë përfshirë Greqinë.”
Njoftimi i Macron erdhi pasi një anije turke të hënën hyri në ujërat europiane, duke nxitur më tej tensionet midis dy vendeve.
Prej disa ditësh ka lindur një përplasje e re mes Greqisë dhe Turqisë, pasi kjo e fundit ka dërguar anije për kërkime dhe shpime për gaz e naftë në brigjet e ishullit grek Kastellorizo. Prania e anijeve turke në brigjet e ishullit, ka bërë që dhe Greqia të dërgojë anijet e veta për të vëzhguar punën e anijeve turke.