Franca u bë vendi i parë evropian për testimin e çertifikates digjitale të udhëtimit TousAntiCovid, në fluturimet me Korsikën.
The Guardian raporton se aplikacioni i shkarkuar në celular përmban të dhëna mbi statusin e testeve antiCovid dhe së shpejti do të përfshijë edhe statusin e vaksinimit.
Prej së martës, pas testimeve, qytetarët do të marrin me e-mail një dokument mbi statusin e tyre, të cilin mund ta shkarkojnë në aplikacion.
Ky i fundit, më pas, do të gjenerojë një kod mbi statusin dhe të dhënat e aplikantit, të cilat mund të paraqiten në aeroport për të udhëtuar.
Të dhënat e aplikantit do të kontrollohen për vërtetësinë nga një bazë qëndrore të dhënash.
Franca, ashtu sikurse edhe vendet e tjera të BE-së, shmangu përdorimin e togfjalëshit “pasaport vaksinimi”, pas kritikave për diskriminim ndaj personave të pavaksinuar.
Nëse funksionon, sistemi ka gjasa të përdoret për aktivitete publike të tilla si koncerte, festivale dhe panaire.
Certifikata do të thotë që udhëtarët nuk do të kenë nevojë për karantinë dhe do t’u kenë në telefonat e tyre provën se janë vaksinuar, testin Covid19 ose testin serologjik.
Disa shtete anëtare të BE janë duke zhvilluar sisteme të ngjashme, përfshi Gjermaninë dhe Danimarkën.
Nga ana tjetër, edhe linjat ajrore po testojnë çertifikata të ngjashme.
Ndërsa, “pasaporta e gjelbër e vaksinimit”, e cila do të jetë një sistem i unifikuar kontrolli në të gjithë BE-në, pritet të bëhet funksionale në muajin qershor.