“Fshehja” e kullës 134 metra: e gjithë media nën këmbët e Erion Veliajt

“Fshehja” e kullës 134 metra: e gjithë media nën këmbët e Erion Veliajt

Dy ditët e fundit të gjitha mediat e vendit kanë përcjellë “njoftimin” se Bashkia Tiranë do të rindërtojë këndin e lojrave “7 Xhuxhat” dhe do të ndërtojë aty një parkim nëntokësor.

Lajmi përshkohej nga notat lëvduese për këtë “projekt” dhe shoqërohej me të njejtat imazhe të skicave kompjuterike të këndit të ri dhe parkimit.

Lajmi është shpërndarë nga zyra e Kryebashkiakut Veliaj dhe është një copë propagande për të fshehur një  ndërtim të ri që do të betonizojë një nga hapësirat e fundit publike të pabetonizuara në Tiranë.

Lajmi i vërtetë është se pranë këndit të lojrave 7 xhuxhat ka filluar ndërtimi i një kulle rreth 134 metra të lartë. Këndi i ri i lojrave, i propaganduar nga kryebashkiaku Veliaj, do të jetë thjesht hapësira para kësaj kulle, ndërsa parkimi nëntokësor i propaganduar po prej tij do jetë thjesht parkimi privat nëntokësor i kullës.

Ky projekt u miratua në heshtje dhe fshehtësi të plotë nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 14 prill 2017. Sipas vendimit të publikuar në media, kulla e quajtur Downtown Albania do të jetë ndërtesa më e lartë në Shqipëri.

Sikurse përshkruhet në vendim:

Lartësia e kullës arrin 133,8 m dhe do spikasë në siluetin e qytetit. Kati perdhe përbëhet prej hapesirës komerciale dhe hyrjeve të veçuara për zyrat dhe banimin. Zyrat do të kenë hyrje të shoqeruar me holl pritës nga Bulevardi “Bajram Curri”. Banesat do të kenë hyrje të shoqëruar me holl pritës nga ana veri-lindore e objektit. Kulla do të ketë funksione të ndara në vertikalitet i quajtur ndryshe “Burger”

Kjo shpërndarje funksionon duke patur funksione të ndryshme të ndara sipas kateve ku 2 912 m2 të kateve të para do shërbejnë si hapësira komerciale. Në katet që vijojnë do të jenë të lokalizuara ambjentet e zyrave me një sipërfaqe prej 21 840 m2. Në katet e sipërme për të ofruar pamjet më të mira nga lartësia e kullës jane pozicionuar banimet me një siperfaqe rreth 26 208 m2.

Parkimi do të jetë nëntokësor dhe me akses nga Bulevardi Bajram Curri, i cili do të mbulojë rreth 394 vende parkimi.

Ndërtuesit e kullës janë tre nga oligarkët kryesorë të vendit, njerëz shumë të afërt të Kryeministrit Edi Rama: 35 për qind të ndërtimit do të jenë në pronësi të Samir Manes, 35 për qind në pronësi të Shefqet Kastratit dhe 30 për qind pronësi të Nikolin Jakës.

I gjithë projekti është hartuar dhe miratuar në mënyrë klienteliste dhe pa asnjë transparencë. Mbi të gjithë, për projektin nuk është zhvilluar asnjë dëgjesë publike, sikurse e kërkojnë një sërë ligjesh të vendit dhe Konventa Aarhus ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Informimi dhe pjesëmarrja e publikut në vendim-marrje është detyrim që buron edhe nga Ligji për Qeverisjen vendore, i cili përcakton në nenin 16 se:

Organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes.

Përtej konsideratave urbanistike dhe të mirëqeverisjes, shkeljet ligjore për këtë projekt janë të mjaftueshme për të filluar hetime penale për të gjithë funksionarët e përfshirë në përgatitjen dhe miratimin e projektit përfshi Kryebashkiakun Veliaj.

Por në vend të denoncimit dhe kërkesës së llogarisë ndaj tij, të gjitha mediat e vendit po fshehin të vërtetën dhe po i bëjnë reklamë Erion Veliajt.

Tashmë duket se Erion Veliaj në një mënyrë apo një tjetër ka shtrirë ndikimin dhe kontrollin e tij mbi të gjithë median shqiptare, përfshi edhe atë pjesë që nuk kontrollohet nga Kryeministri Rama.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>