
Futbolli shqiptar rinisi të shtunën aktivitetet pas pezullimit të përkohshëm për shkak të fatkeqësisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.
Tre ndeshjet e kategorisë Superiore, Tirana (1-3) Kukësi, Bylisi (2-1) Partizani dhe Luftëtari (0-2) Vllaznia, u luajtën me lojtarët që mbanin nga një shirit të zi në krah.
Ndeshjet nisën me një minutë heshtje, ndërsa në fillim u hap banderolë me thirrjen “Dhuro për Shqipërinë”. Përveç kategorisë superiore një minute heshtje u mbajt edhe në kampionatin e vajzave dhe kategorive të tjera të vendit.
Federata Shqiptare e Futbollit pezulloi aktivitetet pasditen e 26 nëntorit, pas tërmetit me magnitudë 6.4 që shkaktoi 51 viktima dhe mbi 900 të plagosur në qarkun e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës.
Nga aktivitetet e pezulluara, ishte edhe Kupa Pavarësia, e cila do të zhvillonte më 28 nëntor edicionin e saj të 11-të.