Tetëmbëdhjetëvjeçari i kombëtares shqiptare, Armando Broja, debutoi sot si futbollist profesionist me skuadrën e Chelsea-it.
Trajneri Frank Lampard e angazhoi atë në minutat e fundit të ndeshjes kundër Evertonit, fituar 4-0, duke i dhënë kështu nisje një karriere që premton shumë.
Me sulmuesit Tammy Abraham (22 vjeç) të lënduar, Olivier Giroud (33 vjeç) në moshë dhe Michy Batshuayi (26 vjeç) që nuk jep shumë garanci, Broja shihet si talenti i radhës që mund të përfitojë nga Lampard promovimin direkt: nga akademia në nivelet e larta të futbollit anglez.
Më poshtë Exit News rendit vlerësimet, mundësitë dhe disa statistika rreth Brojës.
Aftësia për t’u përmirësuar
Vitin e shkuar, në skuadrën e grupmoshave U-18 të Chelsea-it, Broja shënoi vetëm 2 gola në 21 ndeshje. Por gjërat ndryshuan në nëntor, kur ai u grumbulluan me kombëtaren shpresa të Shqipërisë.
Nën urdhërat e Alban Bushit, i realizoi 3 gola në dy ndeshje Uellsit dhe këtë formë e mori me vete edhe kur u kthye te Chelsea.
Në 30 ndeshje të luajtura me skuadrat e moshave te blutë e Londrës, këtë sezon ka shënuar 18 gola dhe 5 asiste.
Zhdërvjelltësia
Broja luan si sulmues qendre, por në të shkuarën në akademinë e Chelsea-it është angazhuar edhe si sulmues krahu. Ai gjuan mirë me të dyja këmbët dhe kjo e avantazhon në aspektin taktik pasi mund të angazhohet si në të majtë, edhe në të djathtë.
Pika e referimit
Idhujt e Brojës janë Didier Drogba, një legjendë për fanellën blu, dhe Ronaldo (Fenomeni). Megjithatë mediat britanike kanë mundur të nxjerrin në pah se ai e ndjek si model sidomos sulmuesin Tammy Abraham, edhe ai i dale nga akademia.
Në fakt vitet e fundit, modeli i drejtimit të skuadrës nga Frank Lampard është përqendruar seriozisht te akademia.
Broja bën pjesë në grupin e lojtarëve si Billy Gilmour (18 vjeç), Tino Anjorin (18 vjeç), Callum Hudson-Odoi (19 vjeç), Reece James (20 vjeç) që ndjekin shembujt e Mason Mount (21 vjeç), Fikayo Tomori (22 vjeç) dhe Tammy Abraham (22 vjeç) të cilët janë promovuar suksesshëm në skuadrën e parë.
Armando Broja nënshkroi kontratë dy vjeçare me Chelsea-in më 7 janar të këtij viti.
Në Londër emrin ia shqiptojnë Brozha, por e sigurt është që njësoi si futbollistë të tjerë shqiptarë si Hysaj, Cana, Xhaka apo Shaqiri, do të dijë që me lojën në fushë t’i bëjë anglezët t’ia shqiptojnë emrin.