Gazetari i Ora News kërcënohet nga Salillari, pas raportimit të shkeljes së ndalim qarkullimit

Nga Exit News
Gazetari i Ora News kërcënohet nga Salillari, pas raportimit të shkeljes së ndalim qarkullimit

Gazetari i Ora News Elio Laze dhe operatori janë kërcënuar nga punonjës të kompanisë Salillari, mbrëmjen e 23 marsit.

Stafi i Ora News ishte dje në mbrëmje në zonën e Unazës së Re. Ata kanë raportuar se kompania Salillari vazhdon të punojë megjithëse kjo aktualisht është e ndaluar nga masat dhe kufizimet e ashpra të marra nga qeveria Rama për të ndalur përhapjen e koronavirusit.

Gazetari iu afrua kantierit të ndërtimit për të filmuar punën dhe për të marrë një koment nga punëtorët.

Punonjësi i Salillari, një nga firmat e ndërtimit më pranë qeverisë Rama, u përgjigj me agresivitet verbal e fizik gazetarit Laze dhe e kërcënoi atë.

RTV Ora i bëri thirrje autoriteteve që të reagojnë pasi ky kërcënim dhe agresivitet ndaj gazetarit gjatë kohës së detyrës së tij është i papranueshëm:

“Është e papranueshme po ashtu që të lejohet thyerja e ndalim qarkullimit nga oligarkët.

Në kohën kur Shqipëria është e gjitha në ndalim qarkullimi, vetëm kompania Salillari lejohet të punojë në Unazën e re.”

Kompania Salillari ka përfituar rreth 56 milionë euro në tenderat e Unazës së Re, duke e çuar në 120 milionë euro totalin e tenderave publike të fituar në 3 vitet e fundit.

Të favorizuar nga qeveria dhe bashkia Tiranë, ata po fitojnë disa nga projektet më të mëdha shtetërore të Shqipërisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>