“Shumica e gazetarëve shqiptarë punojnë pa kontrata pune. Ata mund të pushohen nga puna sipas dëshirës, po ashtu mund të gjenden përpara sulmeve, ndërkohë që u duhet të mbrojnë punën e tyre, përballë pronarëve të kanaleve televizive. Pronarët kanë fuqinë maksimale dhe kontrollojnë përmbajtjet e emisioneve”.
Kështu u shpreh regjisori Artan Rama në një intervistë për Louis Seiller, korrespondetin në Tiranë të medias për Ballkanin në gjuhën franceze “Courrier des Balkans” mbi mungesën e pavarësisë së medias në Shqipëri.
Më poshtë intervista e plotë.
***
Zoti Artan Rama mori pjesë në Konferencën Rajonale mbi Gazetarinë Investigative në Ballkan, e organizuar në datën 2 Nëntor 2017 në Prishtinë. Emisionit të tij Publicus iu dorëzua çmimi i gazetarisë investigative dhënë nga Delegacioni i BE-së në Tiranë.
Ka pak më shumë se një vit kur një emision që ju sapo kishit nisur u ndërpre në mënyrë brutale. Episiodi i tretë i emisionit as nuk mundi të transmetohej në televizion. Çfarë ndodhi?
Emisioni im i ri Publicus sapo kishte filluar të transmetohej. Dy pjesët e para të emisionit u transmetuan ndërkohë që ishte bërë puna dhe pritej të shfaqej e treta, njëri nga pronarët e televizionit në të cilën shfaqej emisioni kërkoi të më takojë. Gjë që tingëllonte pak e çuditshme. Emisoni ecte mirë, ishin shfaqur pjesët e para dhe publiku e kishte pëlqyer.
Në emisone denoncoheshin shpërdorimi i fondeve publike nga funksionarët, paaftësia, mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë nga ana e tyre, etj. Në pjesën e tretë të emisionit, kishim trajtuar vdekjen tragjike të një adoleshenti në landfillin e Sharrës, afër Tiranës. Një vdekje që erdhi si shkak i mungesës së sigurisë dhe kushteve të mjerusheme në vendin e punës.
Gjatë investigimit tonë zbuluam se Bashkia e Tiranës kishte përgjegjësi në këtë histori. Gjatë takimit tim me pronarin e televizionit, ai më kërkoi të ndalohej transmetimi i emisionit Publicus. Ai nuk donte që ky emision të ndikonte marrëdhëniet e tij me Kryebashkiakun e Tiranës. Unë natyrisht që nuk pranova, por as ata nuk pranuan që ta transmetonin më emisionin.
Unë bashkë me ekipin tim e ndërpremë bashkëpunimin me kanalin televiziv Vizion Plus dhe emisioni i tretë u publikua në Youtube. Video pati shumë sukses, dhe impakti i emisionit ishte i madh, publiku u indinjua edhe më shumë kur zbulova edhe konfliktin që ishte krijuar me pronarët e televizionit.
Vetëm pak ditë pas kësaj ndodhie, firma e ndërtimit, ku pronari i televizionit është aksioner, përfitoi një leje të re ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, për ndërtimin e një kompleksi rezidencial, afër me vendin ku gjenden zyrat e televizionit.
A patët mbështetje gjatë kësaj historie? A treguan solidaritet nda jush kolegët tuaj gazetarë?
Reagimet ishin më së shumti të diktuara nga vala e inatit dhe emocioneve në opinionin publik. Disa grupe gazetarësh reaguan por reagimet qenë të dobëta. Partitë opozitare e trumbetuan shumë si ngjarje, kjo për të fituar pikë politikisht nga situata e krijuar. Që pas këtyre ngjarjeve unë punoj në mënyrë të pavarur.
Me çfarë lloji presionesh përballen gazetarët shqiptarë gjatë ushtrimit të profesionit?
Pjesa me e madhe e gazetarëve shqiptarë punojnë pa kontrata pune. Ata mund të pushohen nga puna sipas dëshirës, po ashtu mund të gjenden përpara sulmeve ndërkohë që u duhet të mbrojnë punën e tyre përballë pronarëve të kanaleve televizive.
Pronarët kanë fuqinë maksimale dhe kontrollojnë përmbajtjet e emisioneve. Nëse duan të vazhdojnë të punojnë, gazetarët nuk munden të mbrojnë punën e tyre. Edhe pse mes presionesh dhe stresi ata sërish provojnë të punojnë në mënyrë profesionale. Së fundi, Kryeministri e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën, duke e shprehur haptazi dhe publikisht, refuzimin ndaj gazetarëve. Për sa i përket shoqatave të gazetarëve, ato nuk merren seriozisht.
Flitet edhe shumë për autocensurë …
Është e vërtetë. Natyrisht situata në të cilën gjenden gazetarët është e papranueshme. Autocensura është një arratisje e papërshtatshme, gazetarët duhet të kenë të drejtën të praktikojnë normalisht profesionin e tyre.
Fatkeqësisht, duke pasur parasysh edhe situatën anormale në të cilën ndodhemi, gazetarët e humbin pak nga pak guximin dhe kurajon. Ata tërhiqen. Gazetarët kanë frikë nga pasojat që shkrimet e tyre mund te kenë. Për t’ju dhënë një shembull, kam shkruar para disa muajsh një artikull për gazetarët që trajtohen keq nga pronarët.
Me këtë rast zbulova edhe gjëra të cilat nuk i prisja, si për shembull gazetarët shpesh herë dëshmojnë kundër kolegëve të tyre nën presionin e pronarëve. Shumë nga gazetarët që telefonova refuzuan të më flisnin, kurse të tjerë më kërkuan që të mos u publikohej emri në artikull.
A është e munduar në këtë kontekst të bëhet gazetari investigative?
Po, sigurisht që është e mundur. Sot, falë teknologjisë kemi akses në një numër të madh informacioni publik dhe mund të jemi më mirë të informuar sesa më parë. Transaksionet financiare p.sh. janë të aksesueshme nga të gjithë. Edhe pse ka përjashtime, teknologjia ndihmon në përmirësimin e cilësisë së punës gazetareske, sepse e bën disi më të lehtë.
Por, funksionarët e korruptuar dhe grupet kriminale nga ana tjetër zhvillojnë po ashtu teknika edhe më të sofistikuara. Këta individë e dinë që veprimet e tyre mund të vihen në vëmendje të gazetarëve, ata e dinë që gazetarët kërkojnë dhe organizohen për të zbuluar. Një pjesë e parave që këta individë fitojnë në mënyrë të paligjshme shkon për mbulimin e aktivitetit të tyre kriminal dhe u lejon të veshin një “kostum” të pranueshëm për sytë e publikut.
Pra, gazetari investigativ duhet të shkojë përtej, ai duhet të zbulojë toka të pashkelura. Dhe këtu nuk kemi asnjë mbëshetje, këtu gazetarët janë vetëm. Dhe risqet e dështimit janë të konsiderushme.
Si e perceptoni ju evoluimin e të drejtës për informacion këta vitet e fundit në Shqipëri?
Në Shqipëri, e drejta për mbrojten e të dhënave personale është përdorur nga autoritetet për fshehjen e informacioneve zyrtare. Në emër të mbrojtjes së këtyre të dhënave, Komisioneri për të Drejtën e Informimit, dhe Mbrojtjen e të Dhënave (IDP), la anonime disa dosje përpara gjykatave, dosje që më parë ishin publike.
Në emër të mbrojtjes të të dhënave personale Komisioneri mbron mos-publikimin e kontratave publike me ndërmarrjet private, kontrata të cilat realizohen me paratë publike. Shumë herë, kam dashur të hetojë për këto kontrata dhe aksesi në informacion më është refuzuar. E kam ndjekur Komisionerin në shumë çështje përballë gjykatave dhe kam fituar në të gjitha proceset por ka disa që prekin nivele të larta dhe fatkeqësisht hulumtimet ndërpriten, pra mund të themi që hulumtimet dështojnë.
A ka ndonjë iniciativë që të çon ose po bën rrugë për një informacion me cilësi dhe të pavarur?
Po. Rrjeti Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) përpiqet dhe punon në këtë drejtim.