Qeveria gjermane, të dielën kërcënoi se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër kompanive që prodhojnë vaksina, në rast se do të ketë vonesa.
“Nëse rezulton se kompanitë nuk kanë respektuar detyrimet e tyre, ne do të duhet të vendosim pasojat ligjore”, tha ministri i ekonomisë Peter Altmaier, për gazetën gjermane Die Welt.
Vendimi i Gjermanisë vjen në një kohë që mes prodhuesve të vaksinave dhe BE ka pasur tensione për shkak të mungesës së vaksinave dhe vonesave.
Ndërkohë Gjermania tha se ka porositur vaksina deri në 2022.
Qeveria gjermane është përballur me kritika për procesin e ngadaltë të vaksinimit.
Në ditët në vijim, zyrtarë të lartë gjermanë do të takohen me prodhuesit e ilaçeve për të zgjidhur problemet me furnizimin.
Gjermania ka pasur probleme me furnizimin me vaksina nga kompanitë Pfizer e BioNTech, si dhe pasiguri në lidhje me efikasitetin e vaksinës AstraZeneca tek njerëzit e moshës 65 vjeç e lart.
Deri më tani në Gjermani, kanë marrë një dozë të vaksinës rreth 2,2 milionë banorë.
Ndërsa numrat e të infektuarve ditorë vazhdojnë të jenë të lartë: mbi 2,2 milionë të infektuar në total, mes të cilëve mbi 57 mijë kanë humbur jetën.