Gjermania kërkon ndërmjetësimin e OSBE-së për krizën në Bjellorusi

Nga Exit News
Gjermania kërkon ndërmjetësimin e OSBE-së për krizën në Bjellorusi

Gjermania kërkon që OSBE-ja të ndërmjetësojë dialogun mes qeverisë dhe opozitës në Bjellorusi, për t’i dhënë zgjidhje krizës politike që ka nisur prej 9 gushtit.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, në një konferencë për shtyp, ka deklaruar:

“Ne përsërisim edhe njëherë që OSBE duhet ta ndërmjetësojë dialogun. 

Pamjet e fundjavës tregojnë se qytetarët ne Bjellorusi kanë treguar shumë guxim dhe kanë protestuar lirisht në një numër shumë të madh njerëzish në rrugë. Atyre duhet t’u jepet mundësia për një të ardhme më të mirë për vendin e tyre.”

Seibert përshëndeti dhe tentativën e kryeministrit Rama, si kryetari i radhës së OSBE-së, për të lehtësuar bisedimet mes Lukashenkos dhe opozitës:

“Përshëndesim kreun e OSBE, zotin Edi Rama i cili ka treguar gatishmërinë e tij, ka ofruar ndërmjetesim për dialog me Lukashenkon.”

Një ditë më parë, Rama ripërsëriti ftesën për dialog dhe ndërmjetësim për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi, ndaj presidentit Aleksandër Lukashenko.

Përmes një letre nënshkruar dhe nga Ann Linde, ministrja e Jashtme e Suedisë, vendi që do të ketë presidencën e radhës së OSBE-së, Rama shkruante se OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për sfidat që po kalon vendi.

Pak ditë më parë, në 17 gusht, Rama propozoi një takim të përfaqësuesve të OSBE-së me qeverinë dhe opozitën në Bjellorusi, me qëllim qetësimin e tensioneve të krijuara pas organizimit të zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit.

Propozimi i Ramës është mbështetur dhe nga Këshilli Europian, BE-ja dhe SHBA-të, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar asistencë në realizimin e takimit.

Por deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim për këtë ftesë nga Bjellorusia.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>