Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier theksoi sot nevojën për miratimin e reformës në drejtësi sa më shpejtë, përndryshe çelja e negociatave për anëtarësimin e vendit në BE shtyhet në një të ardhme të largët.
“Komisioni Evropian ka bërë mjaft të qartë një gjë: Ai mund të japë rekomandimin për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në vjeshtë, vetëm nëse Reforma në Drejtësi do të miratohet në një të ardhme shumë të afërt nga parlamenti shqiptar, përndryshe nisja e bisedimeve të anëtarësimit do të zhvendosen sërish në një distancë të largët,” u shpreh Zoti Frank-Walter Steinmeier, në një shkrim drejtuar liderëve politik shqiptar sot, pak orë përpara takimit zyrtar me to.
Ministri gjerman do të vizitojë sot Shqipërinë për të biseduar me Kryeministrin Rama, kreun e PD-së Lulzim Basha dhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Tema kryesore e bisedimeve do të jetë reforma në drejtësi.