
Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-kreut të Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe për ndryshim të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Tushe, i akuzuar se ka shpërdoruar fonde publike, kërkoi zbutjen e masës së sigurisë me argumentin se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.
Argumenti nuk është pranuar nga gjyqtari Erion Çela duke e lënë kështu në burg ish-kryebashkiakun.
Kjo është hera e dytë që Fatos Tushes i refuzohet kërkesa për ndryshim të masës së sigurisë.
Ish-kryebashkiaku u arrestua në fillim të korrikut gjatë një operacioni të ndërmarrë me urdhër të SPAK. Në pranga ranë edhe 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kësaj bashkie për abuzime me tenderin e pastrimit të kanalit vaditës në fshatrat e zonës.