Policia ka gjobitur përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Belind Këlliçi për shkelje të rregullave anti-Covid.
Lajmin e bëri të ditur vetë Këlliçi përmes një postimi në Facebook, ku shkruan se është gjobitur për grumbullimin e më shumë se 10 vetave.
“Policia më ka gjobitur me pretendimin se kam shkelur fjalën-urdhër të kryeministrit, për organizim në mjedise të mbyllura me mbi 10 vetë.”
Deri tani, policia ka gjobitur ministrin e Mjedisit Blendi Klosi, dhe Monika Kryemadhi dhe Endrit Brahimllari për shkelje të këtyre masave.
Kontrollet e policisë nisën pas vendimit të Kryeministrit Rama se do të gjobiten edhe politikanët nëse shkelin rregullat.
Qeveria prej rreth një viti ka ndaluar grumbullimin e më shumë se 10 personave në një ambjent të mbyllur. Personat që shkelin këtë rregull dënohet me 1 milionë lek.
Gjithashtu, në vend është e detyrueshme mbajtja e maskës në ambjentet e jashtme dhe të brendshme. Personat që shkelin këtë rregull dënohet me 3 mijë lek gjobë.