Gjurmët e parave në hetimin e vrasjes së gazetares malteze Daphni Caruana shtrihen deri në Kinë

Nga Exit News
Gjurmët e parave në hetimin e vrasjes së gazetares malteze Daphni Caruana shtrihen deri në Kinë

Një hetim i zgjeruar për pretendimet për korrupsion në nivele të larta të qeverisë malteze, filluar nga gazetarja e vrarë Daphne Caruana Galizia, është shtrirë deri në Kinë.

Bëhet fjalë për një investim prej 400 milion dollarësh në Evropë nga një kompani energjetike shtetërore kineze, ka gjetur Reuters.

Caruana Galizia u vra në tetor 2017 teksa po hetonte një rrjet kompanish, që besonte se po u jepnin ryshfet politikanëve maltezë.

Reuters dhe një konsorcium gazetarësh kanë gjurmuar dy firma të përfshira në rrjetën në fjalë.

Ato i përkasin një të afërmi të një ekzekutivi të lartë kinez për Accenture, firma globale e konsulencës.

Ekzekutivi, 43-vjeçari Chen Cheng nga Shangai, negocioi investime në emër të Shanghai Electric Power të Kinës në Maltë dhe një tjetër shteti të vogël evropian, Mali i Zi, gjatë dekadës së fundit.

Zbulimi i një lidhje kineze potencialisht shton një dimension të ri ndërkombëtar në një skandal që ka tronditur qeverinë e Maltës dhe vitin e kaluar çoi në dorëheqjen e kryeministrit.

Ai gjithashtu mund të figurojë në një seri hetimesh malteze për ngjarjet që çuan në vdekjen e Caruana Galizia.

Investimet nga Shanghai Electric Power u prezantuan nga udhëheqësit politikë maltezë dhe kinezë, si pjesë e iniciativës disa trilionëshe të Kinës për të derdhur para në infrastrukturën ekonomike në Azinë Qendrore dhe Evropë.

Në vitin 2016, Caruana Galizia identifikoi rolin kryesor të Chen në këto transaksione, në blogun e saj.

Gjithsej gjashtë persona në Maltë janë akuzuar për vrasjen e Caruana Galizia dhe presin gjyqin.

Ende nuk është gjendur një lidhje e Accenture, Chen ose ndonjë kompanie apo individi kinez, me atë krim.

Caruana Galizia raportoi se Chen krijoi një kompani në Ishujt e Virgjër Britanikë në 2014, për një qëllim të panjohur.

Në të njëjtin vit, Chen luajti një rol qëndror në negociatat që Shanghai Electric Power bëri në blerjen e një aksioni të kompanisë shtetërore të energjisë të Maltës, Enemalta, për 380 milion euro.

Chen dhe Accenture nuk iu përgjigjën raportit të Caruana Galizia-s në atë kohë.

Tashmë, reporterët e Reuters, Times of Malta, Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Süddeutsche Zeitung, kanë zbuluar se familja e Chen krijoi dy kompani të tjera në Hong Kong, të dyja me lidhje biznesi me Maltën.

Të kontaktuar për këtë artikull, Chen dhe Shanghai Electric Power nuk pranuan të komentojnë.

Accenture tha në një deklaratë se po e merrte çështjen me shumë seriozitet dhe “duke shqyrtuar me kujdes këto akuza pasi ato lidhen me një nga njerëzit tanë. Ne u përmbahemi standardeve më të larta etike në çdo treg në të cilin operojmë dhe kemi tolerancë zero për çdo devijim nga ato standarde.

Enemalta nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me Chen.

Një nga kompanitë e krijuara nga familja Chen, e njohur si Macbridge, planifikoi të paguante deri në 2 milion dollarë për firmat Panama të kontrolluara nga dy politikanë maltezë.

E dyta, e quajtur Dow’s Media Company, mori një milion euro nga një biznes në pronësi të një prej njerëzve më të pasur të Maltës, Yorgen Fenech, sipas të dhënave financiare të shqyrtuara nga Reuters.

Fenech është në burg, në pritje të gjyqit për akuzën e organizimit të vrasjes së Caruana Galizia. Ai është deklaruar i pafajshëm.

Deri tani vetëm një person, Vince Muscat, ka rrëfyer për vrasjen e gazetarës, por mendohet se njerëz të rëndësishëm fshihen pas tij,

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>