Gjykata Administrative lë pezull “Velierën”, vendimi nuk kënaq asnjërën palë

Nga Gëzim Kabashi
Gjykata Administrative lë pezull “Velierën”, vendimi nuk kënaq asnjërën palë

Gjykata Administrative e Durrësit i ndalon Bashkisë vijimin e ndërtimit të projektit “Veliera” në zonën arkeologjike A, por rrëzoi kërkesën e shoqërisë civile për të bllokuar tërësisht projektin. Të dyja palët pritet t’i drejtohen Apelit.

Sheshi “Veliera” pranë hyrjes së portit të Durrësit do të mbetet i papërfunduar për një kohë të pacaktuar, në pritje me gjasë të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, pasi shkalla e parë dha një vendim që bllokon pjesërisht punimet, por lejon në anën tjetër bashkinë që të vijojë me projektin.

Ndërsa e ka cilësuar me “rëndësi të madhe” të shpallë “pacënueshmërinë e objekteve arkeologjike” dhe “të ndalojnë kryerjen e punimeve ndërtimore në zonën arkeologjike A të qytetit të Durrësit”, gjykata rrëzoi padinë e shoqërisë civile për bllokim të projektit me argumentin se paditësi “nuk u mbështet në një koncept të qartë rreth asaj se çfarë përbën projekt”.

Vendimi i shpallur vetëm pak kohë më parë ka lënë të pakënaqura të dyja palët e përfshira në proces.  Ambjentalisti Sazan Guri, që përfaqësoi organizatën e shoqërisë civile që bëri padinë, tha për BIRN se “është mjaft i rëndësishëm pezullimi i punimeve”, por ata do të synonin bllokimin e plotë të projektit.  Nga ana e saj, as Bashkia e Durrësit nuk është e kënaqur me vendimin.  “Juristët e Bashkisë po përgatiten për ankimimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar rifillimin e punimeve për pjesën e fundit të Velierës,” thanë burime nga Bashkia.

Punimet në lulishten para godinave të Drejtorisë së Portit Detar të Durrësit për projektin e shumëdiskutuar “Vela” me vlerë 6 milion euro, që më pas u njoh me emrin “Veliera”, nisën në fillim të vitit 2017. Në projekt, bashkë me shëtitoren pedonale, bashkia synonte edhe zgjidhjen e problematikën e qarkullimit të automjeteve në pjesën më të ngarkuar gjatë sezonit turistik.

Gërmimet nxorrën në dritë mure fortifikuese mesjetare dhe disa gjetje arkeologjike, ç’ka e shtyu shoqërinë civile drejt protestave dhe një padie penale për bllokimin e punimeve.

Në mars 2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestrimin preventiv,…duke mos lejuar vazhdimin e punimeve për pjesën e projektit që shtrihet në zonën A” të rriskut arkeologjik në Durrës.

Prej më shumë se një viti, çështja u shqyrtua në Gjykatën Administrative, ku shoqëria civile shpresonte të bllokonte përfundimisht projektin.  Por pas 13 seancash gjyqësore dhe disa javë vonese në zbardhjen e vendimit, Gjykata Administrative rezulton se ka dhënë një vendim që nuk kënaq asnjë nga palët, duke lënë pezull kërkesat e paditësve por edhe pretendimet e Bashkisë.

Vendimi nuk merr parasysh projektin e dytë që paraqiti Bashkia e Durrësit për bashkëjetesën e rrënojave mesjetare me “Velën”, e projektuar nga një arkitekt Italian. Sipas relatorit të çështjesh, “Gjykata e gjen me rëndësi të madhe të shpallë pacënueshmërinë e objekteve arkeologjike e të kulturës materiale, si vlera themelore për ekzistencën dhe mirëqenien shpirtërore e materiale të një shoqërie të qytetëruar”.

Gjykata shprehet se në zonën arkeologjike “A” lejoheshin vetëm punime të kufizuara dhe vetëm në raste emergjence e domosdoshmërie. Kjo pjesë e vendimit e lë pezull projektin, i cili mbështetet pjesërisht në një pjesë toke që i takon zonë arkeologjike “A”.

Ndërkohë, trupi gjykues shpalli moskompetencë për disa nga kërkesat e shoqërisë civile, përfshi padinë për “Falsifikim të dokumenteve, shkatërrim i të së mirës publike, shpërdorim detyre, pengim për zbatim të vendimit të gjykatës të datës 16.02.2017 për pezullim punimesh”. Gjykata thotë se një vendim për kompetencën do duhej të merrej nga Gjykata e Lartë.

Gjykata vendosi gjithashtu të rrëzojë kërkesën e shoqërisë civile të përfaqësuar nga shoqëria “Menv Group” për të shpallur të paligjshëm projektin, duke arsyetuar se paditësi kishte qenë i paqartë se çfarë kërkonte të rrëzohej.

“Gjithashtu, mjaftueshmërisht i paqartë mbeti paditësi edhe në lidhje me finalitetin e të ashtuquajturit “projekt”, duke mos u shprehur në padi se cili është akti përfundimtar që ai kundërshton,” thuhet në vendimin e zbardhur, të cilin BIRN e disponon.

Ndërsa Gjykata ka marrë përsipër të pezullojë punimet në zonën A, projekti në vetvete ka mbetur në fuqi dhe të dyja palët do të duhet të presin një vendim të Apelit për një zgjidhje më të qartë. Vendimi po ashtu nënkupton në tërësi se punimet për “Velierën” do të shtyhen në kohë, duke krijuar vështirësi qarkullimi për qytetarët dhe lënë ngrehinë projektin e shumëdebatuar të bashkisë.

BIRN mësoi se bashkia do të shkojë në Apel  për të kërkuar zhbllokimin pas 16-mujsh të punës në pjesën e rrënojave arkeologjike. Nga ana e saj,  shoqëria Menv Group, e cila përfaqëson kërkesat e shoqërisë civile, do të apelojë disa prej pikave të vendimit. Palët po ashtu duhet të presin një vendim për kompetencën nga Gjykata e Lartë, për disa prej pikave të padisë.


Ky artikull u publikua më parë tek Reporter.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>