Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni do të drejtojnë gjyqin ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Pas shortit që u hodh sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Boksi u caktua kryesuese e trupit gjykues, ndërsa Kosova dhe Dreni anëtare. Nga trupa gjykuese vetëm Nure Dreni nuk e ka kaluar ende procesin e vetingut.
Më 20 shtator 2019, ish-ministri Tahiri u shpall fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda për shpërdorim detyre, ndërkohë akuzat për bashkëpunimin dhe trafik droge me bandën e Habilajve u rrëzuan.
Ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 8 vite burg, por Gjykata vendosi dënimin me 5 vjet burg, që u konvertua në 3 vjet e 4 muaj shërbim prove, duke qenë se Tahiri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar.
Vendimi u cilësua nga Ambasada Amerikane si shkurajues. Aktualisht ish-Ministri ka kontraktuar një kompani amerikane për të lobuar SHBA për të tërhequr deklaratat publike të personelit të ambasadës në Shqipëri, me pretendimin se ato mund të kenë ndikuar vendimin e autoriteteve.