Gjykata e Posaçme e Apelit pezulloi sot shqyrtimin e ankimit të Arbër Çekajt, i akuzuari kryesor për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë nga Kolumbia në Durrës, në shkurt 2018.
Çekaj kishte bërë ankim në Gjykatë për shkak se afatet e paraburgimit u pezulluan deri më 11 maj.
Gjykata e Posaçme kishte pezulluar veprimtarinë e saj që prej 10 marsit, në bazë të vendimit të KLGJ. Në ditët në vijim, Gjykata do të marrë vendim në lidhje me ankimin e Çekajt.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 21 vite burg për Arbër Çekajn, ndërkohë gjyqi është shtyrë tre herë, për shkak të mungesës së avokatëve.
Në shkurt 2018, 613 kilogramë kokainë kolumbiane u trafikuan në Shqipëri përmes kontejnerët të bananeve të porositura nga firma shqiptare “Arbi Garden”, në pronësi të Arbër Çekajt. Në flagrancë u arrestuan menaxheri i kompanisë, Donald Lushaj dhe shoferi i kamionit, Armando Pezaku.
Arbër Çekaj u arrestua në Gjermani më 4 maj 2018 për llogari të drejtësisë shqiptare për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vendimi për ekstradimin e tij u dha nga Gjykata e Dusseldorfit në korrik 2019.