Gjykata e Strasburgut ka refuzuar më 31 maj kërkesën e ish anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj që çështja e saj të rishqyrtohet nga Dhoma e Madhe. Kolegji i përbërë nga 5 gjyqtarë vendosi se kërkesa e Xhoxhaj nuk ishte e bazuar, pra në vendimin kundër saj më 9 shkurt nuk ka pasur shkelje të Konventës gjatë procedurës së Vettingut.
Sipas rregullave të Gjykatës së Strasburgut, ky kolegj shërben si organ filtrues që seleksionon çështjet që do të shqyrtohen nga Dhoma e Madhe.
Pas vendimit të datës 9 Shkurt 2021 nga “shkalla e parë” e GJEDNJ-së ose Dhoma e përbërë nga 7 gjyqtarë, Xhoxhaj dorëzoi në GJEDNJ kërkesën që çështja të rishqyrtohet nga Dhoma e Madhe e cila përbëhet nga 17 gjyqtarë.
Shkalla e parë e GJEDNJ-së, vlerësoi se organet e vetingut në Shqipëri janë krijuar në mënyrë të ligjshme.
Gjykata u shpreh se nuk ka shkelje te procesit të rregullt ligjor dhe se KPK dhe KPA kishin vepruar në përputhje me ligjin në rastin e Xhoxhajt.
Ky është vendimi i parë ndaj procesit të vetingut.
Xhoxhaj, e shkarkuar nga vetingu, ankimoi vendimin për shkarkim të KPK-së dhe KPA-së në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Gjyqtarja Xhoxhaj pretendon se ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjatë procesit të vetingut nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.
Altina Xhoxhaj u shkarkua nga detyra më 3 maj 2018 për shkak të problemeve me pasurinë. Vendimi u mor nga trupa e KPK-së Etleda Çiftja, Brunilda Bekteshi e Genta Bundo.
Gjyqtarja Xhoxhaj u shkarkua nga detyra sepse bashkëjetuesi i saj në vitin 2003, periudhë në të cilën nuk ka qenë i lidhur me gjykatësen, ka blerë me kursimet e veta një aparatment, të cilin në vitin 2005 pas daljes së hipotekës e ka regjistruar në emër të të dyve si pasojë e fillimit të bashkëjetesës.