Gjykata e Strasburgut, tre kandidatët shqiptarë kalojnë fazën e parë

Gjykata e Strasburgut, tre kandidatët shqiptarë kalojnë fazën e parë

Tre propozimet e qeverisë shqiptare për vendin e gjykatësit në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Sokol Berberi, Aurela Anastasi dhe Aleksandër Muskaj kanë kaluar fazën e parë të gjykimit.

Dosjet e tre kandidatëve kanë kaluar nën vëzhgimin e panelit këshillues të ekspertëve, ku janë vlerësuar pozitivisht.

Më 6 prill Berberi, Anastasi dhe Muskaj do të intervistohen nga 22 deputetë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Më pas, më 25 prill Asambleja Parlamentare e KE-së prej 324 parlamentarësh do të votojë për gjykatësin e ri shqiptar, që do të zëvendësojë gjykatësin aktual Ledi Bianku.

Mandati i gjykatësit në Gjykatën e Strasburgut zgjat 9 vjet.

Tre kandidatët Berberi, Anastasi dhe Muskaj u përzgjodhën në dhjetor 2016, pas rrëzimit të listës së parë të propozuar nga qeveria Rama, ku kandidatë ishin Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama.

Sokol Berberi, i vetmi kandidat që është ripropozuar nga qeveria, deri në tetor 2016 ishte anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Zoti Berberi dha dorëheqjen pas pezullimit të ligjit të vetingut nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë ai ka mohur se dorëheqja e tij ka lidhje me ligjin e vetingut.

Prof. Dr Aurela Anastasi njihet si eksperte e të drejtës kushtetuese. Ajo prej më shumë se 20 vjetësh jep mësim në Fakultetin e Drejtësisë. Zonja Anastasi ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve të lartë të angazhuar në fazën e parë të hartimit të reformës në drejtësi.

Aleksandër Muskaj është anëtar I Gjykatës së Lartë që prej vitit 2008. Më parë ai ka qenë gjykatës në Gjykatën e rrethit në Vlorë, në gjykatën e Apelit në Tiranë. Zoti Muskaj ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në periudhën 2002-2007.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>