Gjyqtarja Altina Xhoxhaj ankimon vendimet e KPK dhe KPA në Gjykatën e Strasburgut

Gjyqtarja Altina Xhoxhaj ankimon vendimet e KPK dhe KPA në Gjykatën e Strasburgut

Altina Xhoxhaj, ish-anëtarja e gjykatës Kushtetuese e shkarkuar nga vetingu, ka ankimuar vendimin për shkarkim të KPK-së dhe KPA-së në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut. GjEDNj ka pranuar ta shqyrtojë këtë rast dhe për këtë arsye i ka drejtuar disa pyetje Avokaturës së Shtetit, e cila në këtë proces mbron shtetit shqiptar.

GjEDNj pyet shtetin shqiptar nëse i ka siguruar gjyqtares Xhoxhaj një proces të drejtë gjykimi dhe nëse KPA ishte  e paanshme, e pavarur dhe nëse vendimi për ta shkarkuar atë ishte në proporcion më shkeljet për të cilat ajo akuzohet.

GjEDNj kërkon të dijë nëse KPK dhe KPA kanë respektuar të drejtat e Xhoxhajt kur i kanë ngarkuar asaj ‘barrën e provës’ gjatë procesit të vetingut.

Po ashtu, GjEDNj kërkon informacion nëse gjyqtarja Xhoxhaj i ka përdorur të gjithë mjetet ligjore të ankimimit në Shqipëri për vendimin për shkarkim nga detyra. GjEDNj pyet dhe nëse Xhoxhaj do të preket nga ligji “Për Avokatinë” sipas së cilit i ndalohet ushtrimi i profesionit të avokatisë.

Njësoj si në rastet e mëparshme të ankimimit të magjistratëve të tjerë në GjEDNJ, kjo e fundit pyet shtetin shqiptar nëse KPK mund të konsiderohet “gjykatë”.

Gjyqtarja Xhoxhaj pretendon se ka pasur shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjatë procesit të vetingut nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit.

Altina Xhoxhaj u shkarkua nga detyra më 3 maj 2018 për shkak të problemeve me pasurinë. Vendimi u mor nga trupa e KPK-së Etleda Çiftja, Brunilda Bekteshi e Genta Bundo.

Gjyqtarja Xhoxhaj u shkarkua nga detyra sepse bashkëjetuesi i saj në vitin 2003, periudhë në të cilën nuk ka qenë i lidhur me gjykatësen, ka blerë me kursimet e veta një aparatment, të cilin në vitin 2005 pas daljes së hipotekës e ka regjistruar në emër të të dyve si pasojë e fillimit të bashkëjetesës.

Megjithëse Xhoxhaj vuri në dispozicion të KPK-së dokumentacionin e pasurisë së bashkëjetuesit nga viti 1992 deri në 2001, ato nuk u morën parasysh.

KPK po ashtu vlerësoi se ka paqartësi dhe mosrakordim për një sipërfaqe 12,14 metra katrorë për një aparatament në Gjirin e Lalzit, të blerë në vitin 2011. Në kontratët e shit-blerjes janë shënuar 12,14 metra katrorë më pak se sa në certifikatën e ALUIZNI-t.

Gjithashtu, KPK u shpreh se gjyqtarja Xhoxhaj nuk justifikon një shumë prej 1,9 milionë lekë në total për tre vitet së bashku, 2007, 2009 dhe 2015.

Zonja Xhoxhaj e apeloi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK-së. Por më 24 tetor 2018, KPA vendosi të lërë në  fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të shkarkuar nga detyra gjyqtaren Xhoxhaj. Trupa e KPA-së që mori këtë vendim përbëhej nga Ina Rama, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, Luan Daci dhe Natasha Mulaj.

Si pasojë e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj nuk është e para gjyqtare që i drejtohet GjEDNj-së. Më parë dhe prokurorët Rovena Gashi, Dritan Gina dhe Besa Nikëhasani kanë apeluar vendimet për shkarkimin e tyre në Strasburg.

Më poshtë Exit.al sjell të përkthyera pyetjet e plota që GjEDNj i ka drejtuar shtetit shqiptar:

Pyetja 1:

A u zbatua neni 6 pika 1 e Konventës, e zbatueshme në të tilla raste? Nëse po, a i përdori ankuesi të gjitha mjetet juridike të vendit në lidhje me pretendimet e saj të parashikuara në nenin 6 të Konventës?

Pyetja 2:

A) A pati ankuesi një seancë gjyqësore të drejtë, në përputhje me kërkesat e nenit 6, pika 1 të Konventës? Në veçanti: A mund të konsiderohet KPK një “gjykatë e krijuar me ligj”, sipas parashikimeve të nenit 6 pika 1 të Koneventës? A i përmbushi KPK kërkesat për paanshmëri, duke marrë parasysh se e njata trupë gjykuese kreu edhe hetimin edhe vendosi për përjashtimin nga ssitemi gjyqësor (rast i ngjashëm Kamenos kundër Qipros, tetor 2017)

B) A ishte KPA e paanshme dhe e pavarur, sipas parashikimeve të nenit 6 pika 1 e Konventës?

C) A janë paashikimet e ligjit numër 84/2016 të mjaftueshmërisht të qarta dhe të aksesueshme, duke i siguruar ankuesi mbrojtjen e të drejtave të parashikuara në Konventë gjatë procedurave para organeve të rivlerësimit kalimtar? Në veçanti, si e ka interpretuar dhe zbatuar KPK aspektet e rëndësishme të ligjeve:

 – konceptimin e ‘ligjit mbi të ardhurat’ (neni 3(19) i këtij ligjit), në lidhje me të ardhurat nga një burim i huaj, dhe “asetet e ligjshme” (neni 61(1) i ligjit);

 – kushtet për zhvendosjen e barrës së provës mbi subjektet e vlerësimit të ri, duke përfshirë edhe kushtin që “provat kanë arritur [nivelin] e provueshmërisë”, (neni 52 (1) e ligjit) si dhe vlerësimin e fakteve dhe rrethanave të ndodhura në vitet përpara hetimit;

 – standardet e “zbulimit të aseteve të pamjaftueshme” (neni 61 (3) i Ligjit) dhe “dëmtimi i besimit të publikut në sistemin e drejtësisë” (neni 61 (5) i Ligjit) si arsye për largimin nga gjykatëse;

 – metodologjia e përdorur për të vlerësuar shpenzimet e jetesës të personin të hetuar dhe familjarëve të tyre?

Qeveria është e ftuar të japë ekstraktet e vendimeve të trupave të rivlerësimit për të qartësuar më shumë çështjet e mëposhtme:

 – A ishin shkeljet disiplinore apo shkeljet e tjera që dhanë bazën për largimin e ankueses nga gjyqtare, subjkt i kufizimeve statuore (shih çështjen Oleksandr Volkov kundër Ukrainës, nr. 21722/11, §§ 137-140, KEDNJ 2013)?

 – A ishte refuzimi i kërkesës së ankuesit për dëgjesë publike dhe për paraqitjen e provave shtesë përpara KPA-së shkelje e të drejtës së saj për një proces të rregullt gjyqësor në zbatim të nenit 6 § 1 të Konventës, të shqyrtuar së bashku me pyetjen nën paragrafi 2 (a) më lart (shih Ramos Nunes de Carvalho e Sá kundër Portugalisë [GC], nr. 55391/13 dhe 2 të tjerë, 6 nëntor 2018)?

Pyetja 3:

 – A i ka përdorur ankuesi të gjitha mjetet ligjore të vendit për tu ankuar në zbatim të nenit 8, përfshirë edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit privat të avokatit? A ka pasur ndërhyrje në të drejtën e ankuesit për respektimin e jetës private të saj, sipas nenit 8 të Konventës, për shkak të largimit të saj nga detyra si gjykatëse e Gjykatës Kushtetuese (shih: Olleksandr Volkov kundër Ukrainës, nr. 21722 / 11, §§ 165-167, KEDNJ 2013 dhe Denisov kundër Ukrainës [GC], nr. 76639/11, 25 shtator 2018)?

Pyetja 4:

 – A ishte ndërhyrja në të drejtën e ankuesit për respektimin e jetës private të përcaktuar me ligj dhe të domosdoshme në një shoqëri demokratike, në parashikimet e nenit 8 § 2 (shih Oleksandr Volkov kundër Ukrainës, nr. 21722/11, KEDNJ 2013 dhe Denisov kundër Ukrainës [GC], nr. 76639/11, 25 shtator 2018)? Veçanërisht:

 – A ishte dënimi me heqje nga detyra në proporcion me rëndësinë e shkeljeve disiplinore apo të shkejljeve të tjera mbi të cilat u bazua vendimi?

 – A mundet ligji nr. 55/2018 ligj nr. 55/2018 për ‘Profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë’, duke qenë se ankuesi është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, ta pengojë të kryejë punën e avokatit? Nëse po për sa kohë?

Pyetja 5:

 – A ka pasur në dispozicion ankuesi një mjet ligjor efektiv vendas për ankesat e parashikuara në nenit 8, sikurse parashikohet në nenin 13 të Konventës?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>