I dërguari special i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka deklaruar se qëllimi i tij në lehtësimin e negociatave mes dy vendeve është të sjellë ‘kapitalizmin dhe t’i detyrojë palët të bashkëpunojnë ekonomikisht’.
Grenelli foli për krijimin e një ‘zonë të vogël mini-Shenzhen’, e cila është një zonë e veçantë ekonomike (SEZ) në Kinë që gëzon një ekonomi relativisht të lirë të tregut në krahasim me ekonominë e planifikuar shtetërore të Kinës.
“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të përqendrohemi në situatën ekonomike për të krijuar një zonë të vogël mini-Shenzhen. Ne mendojmë se është një ide shumë e mirë dhe mendojmë se nëse mund të krijoni vende pune në rajon, nëse mund të sjellë kapitalizëm dhe t’i detyrojë palët të shkojnë së bashku ekonomikisht dhe komercialisht, më pas çështjet politike do të ishin hapi i dytë,” tha Grenell për NewsMaxTV.
Ndërsa Kina, një vend i pavarur, ka rregulluar zona specifike ekonomike si SEZ, mbetet e paqartë se çfarë mund të nënkuptojë kjo në rastin e Kosovës dhe Serbisë, në një kohë kur kjo e fundit nuk e njeh ekzistencën e Kosovës.
Një iniciativë e mëparshme për të krijuar një zonë ekonomike në Ballkan, e udhëhequr nga Kryeministri Rama dhe Presidenti serb Vuçiç, e ashtuquajtura Zonë Mini Schengen, duket se ka ngecur pas refuzimit të Kosovës për t’u bashkuar. Ish-kryeminsitri Haradinaj ka thënë se Kosova nuk do të marrë pjesë në të nëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e vendit.
Objektivi i Grenellit për të sjellë kapitalizëm në rajon nuk është gjithashtu i qartë. Kosova, Serbia dhe e gjithë Evropa Jug-Lindore janë shoqëri kapitaliste.
I dërguari i Trumpit tha se ai do të përqendrohet vetëm në çështjet ekonomike, dhe do t’i linte çështjet politike Brukselit për ti negociuar.
Grenell tha se ai kishte diskutuar me njerëzit e Kosovës dhe Serbisë çështjet me të cilat përballen, dhe konkludoi se zhvillimi ekonomik dhe vendet e punës ishin kërkesat kryesore.
“Kur fillova diskutimin e këtyre çështjeve me njerëzit e Kosovës dhe komunitetin e biznesit në Kosovë, njerëzit e Serbisë dhe komunitetin e biznesit, ajo që ishte e qartë është se ata donin zhvillim ekonomik, ata donin punë për të rinjtë, ata donin shpresë,” tha ai.
Ai premtoi se do të punojë për sjelljen e “kapitalizmit dhe tregut të lirë në rajon”, si dhe ndërmarrjeve të mëdha amerikane dhe evropiane.
Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë pritet të ulen në bisedime në Shtëpinë e Bardhë në 27 qershor.