Shtatë ushtarët shqiptarë që publikuan foton ku bënin shqiponjën dykrenare me duar, teksa mbanin veshur uniformën e ushtrisë greke, rrezikojnë heqjen e nënshtetësisë greke dhe dënimin.
Fotoja, e publikuar mbrëmjen e së premtes, ka shkaktuar debat të madh në ushtrinë greke dhe median greke.
Shtatë ushtarët, të gjithë shqiptarë me nënshtetësi greke, janë marrë në pyetje dhe iu janë sekuestruar celularët. Ata janë kontrolluar nëse kanë pasur biseda me persona që mund të rrezikonin sigurinë kombëtare greke.
Mediat greke bëjnë të ditur se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë greke ka nisur hetimet për mënyrën se si aparati celular është futur në ambientet e ushtrisë dhe për propagandë anti-kombëtare.
Po ashtu, për incidentin ka folur dhe ministri grek i Mbrojtjes Panos Kamenos në një intervistë. Ai e ka quajtur fenomenin “të papranueshëm për Forcat e Armatosura” dhe ka kërkuar vazhdimin e hetimeve dhe dënimin e ushtarëve.
“Është diçka e krijuar nga nacionalistët shqiptarë për të dëmtuar marrëdhëniet me Greqinë”, u shpreh ministri Kamenos.
Deri më tani nuk ka ardhur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet shqiptare.
Muajt e fundit ka pasur disa incidente që kanë përplasur qeveritë shqiptare e greke me njëra-tjetrën.
Në nëntor, dy shoferë të Ministrisë së Jashtme shqiptare u arrestuan në kufi teksa po transportonin tekste shkollore në gjuhën shqipe në Greqi. Ata u akuzuan për tentativë për futjen e materialeve propagandistike në Greqi.
Po ashtu dhe prishja dhe shpronësimi i shtëpive në Himarë është bërë temë konflikti mes dy vendeve. Ministria greke e Punëve të Jashtme ka shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimin e saj për situatën në Himarë, duke konsideruar faktin se qyteti është një shtëpi për minoritetin greke.
Kryeministri Rama nuk ka tentuar të zbusë këto konflikte. Përkundrazi, ai provokoi më tepër shtetin grek kur publikoi portretin e gdhendur të qytetit të Athinës në vitin 1670, në Facebook, duke pohuar pretendimin e tij për rrënjët e popullsisë së Shqipërisë dhe kontributin e Shqipërisë për qytetin.