
Qeveria greke ka vendosur të mbajë të mbyllur deri në 8 shkurt pikën kufitare të Kapshticës.
Shkak për këtë vendim është bërë rritja e numrit të të infektuarve dhe situata e përgjithshme e pandemisë.
Njoftimin e bëri të premten drejtoria vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë.
Deri më 8 shkurt, nga kjo pikë kufitare do të lejohet vetëm kalimi i shtetasve nga Greqia në Shqipëri dhe jo anasjelltas.
Për shtetasit që hyjnë në Shqipëri, pika doganore do të jetë hapur nga ora 06:00 deri në orën 22:00.
Ndërsa pika kufitare e Kakavijës vazhdon të jetë e hapur për kalimin e të gjithë atyre shtetasve që plotësojnë kushtet e vëna nga Greqia.
Aktuliasht lejohet të kalojnë kufirin për në Greqi:
- Shtetasit grekë;
- Shqiptarë me leje qëndrimi greke;
- Shtetasit minoritarë të pajisur me kartën e veçantë;
- Trupi diplomatik për arsye pune;
- Shtetas shqiptarë të pajisur me autorizim të veçantë nga përfaqësitë diplomatike greke, për arsye pune apo shëndetësore;
- Drejtuesit e kamionëve dhe furgonëve që transportojnë mallra.
Të gjithë ata që udhëtojnë drejtë Greqisë duhet të kenë me vete test PCR që tregon se personi nuk është i infektuar.