Deri ne 15 shtator, Greqia do të mbajë në fuqi të njëjtat rregulla për kalimet në pikat kufitare me Shqipërinë: udhëtimet për arsye turistike nuk do të lejohen dhe numri i personave që kalojnë kufirin do të jetë i kufizuar.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Jashtme shqiptare sqaron qytetarët se në pikën kufitare të Kakavijës do të lejohet të kalojnë vetëm 750 shtetas grekë ose shqiptarë me rezidencë në Greqi çdo ditë, ndërsa nga ajo e Kapshticës do të lejohen vetëm 300 në ditë.
Të gjithë duhet të kenë me vetë testin negativ të COVID-19, të bërë eri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Testi duhet të jetë i përkthyer në gjuhën angleze. Përjashtohen nga rregulli për bërjen e testit shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.
Po ashtu, të gjithë udhëtarët duhet të kenë me vetë vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, në adresën travel.gov.gr.