Grevistët e Poçemit paralajmërojnë vetëflijim nëse nuk marrin pagat e prapambetura

Nga Exit News
Grevistët e Poçemit paralajmërojnë vetëflijim nëse nuk marrin pagat e prapambetura

Punonjësit e nënstacionit të Poçemit, që prej 2 javësh janë në grevë urie, kanë paralajmëruar se do të shkojnë deri në vetëflijim, në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre, veçanërisht ajo e marrjes së pagave të prapambetura.

Punonjësit janë revoltuar edhe më shumë me kompaninë menaxhuese, pas vendimit të sotëm për t’i paguar 3 nga 5 pagat e prapambetura grupit tjetër të grevistëve, naftëtarëve të Ballshit.

Të indinjuar nga ky fakt, punonjësit e nënstacionit të Poçemit refuzuan ndihmën mjekësore sot, edhe pse gjëndja e tyre shëndetësore po rëndohet çdo ditë e më tepër.

Punonjësit e nënstacionit të Poçemit, nën varësi të uzinës së naftës në Ballsh, nisën grevën më 13 shkurt pasi prej 27 muajsh nuk marrin rrogat.

Ndërkohë naftëtarët, të cilët iu bashkuan në grevë punonjësve të Poçemit një javë më parë, e ndalën sot grevën pasi morën konfirmimin se i janë kaluar në bankë 3 paga.

Greva e urisë ka sjellë efekte në të paktën 14 fshatra në Mallakastër të cilët kanë mbetur pa energji elektrike, pas stakimit të fideri të Fratarit. Grevistët nuk kanë lejuar punonjësit e OSHE-së që të futen në fider për të rilidhur energjinë.

Dy grupet e grevistëve varen nga të njëjtat firma ‘Bylys dhe Tosk Energji” që menaxhon Uzinën e naftës në Ballsh.

Rafineria e naftës në Ballsh ka vite që has probleme keqmenaxhimi edhe pse është një nga sektorët kyç të ekonomisë së vendit. VOA citon analistë të ekonomisë të thonë se kompani të regjistruara në parajsa fiskale e marrin rafinerinë në përdorim nuk shlyejnë detyrimet ndaj shtetit dhe punëtorëve dhe largohen duke lënë pas detyrime edhe më të mëdha.

Byllis Energy e drejton rafinerinë prej vitit 2018 kur kompania Ionian Trading and Refinery Company (IRTC) u largua me rreth 60 milionë dollarë taksa pa paguar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>