Guvernatori i Nju Xhersit, në SHBA, u ka kërkuar qytetarëve të qendrojnë brenda shtëpive çdo ditë mes orës 20:00 të mbrëmjes dhe 05:00 të mengjesit. Guvernatori sqaroi se kjo nuk është gjendje shtetrrethimi, por një këshillim i fortë për 9 milionë banorët e shtetit.
Për të arritur këtë qëllim, Nju Xhersi ka mbyllur thuajse të gjitha shërbimet ndaj publikut pas orës 20:00 duke lënë hapur vetëm farmacitë, dyqane ushqimore dhe disa shërbime bazë.
Garda Kombëtare e New Jersey po patrullon rrugët e shtetit për të dekurajuar lëvizjen e njerëzve dhe për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, përfshi furnizimin me ushqime ndaj të pamundurve.
Këto masa u morën pasi u zbuluan 80 raste me koronavirus dhe tre të vdekur.
Për të mbështetur qytetarët dhe bizneset e mbyllura, Guvernatori vendosi:
— Shtyrjen e afatit për votimin me postë për zgjedhjet primare presidenciale;
— Të nisë mësimi online në të gjitha shkollat e mbyllura;
— Të shtyhet me një muaj afati për deklarimin e të ardhurave personale dhe të biznesit;
— Të krijohet një program për rrogat e munguara, i cili do t’i mundësojë qytetarëve të kërkojnë rrogat e pa dhëna gjatë karantinimit;
— Të caktojë 10 milionë dollarë për fondin e shpërndarjes së ushqimeve për rastet në nevojë;
— Të autorizojë laboratorët mjekësorë për zhvillimin dhe administrimin e testit të koronavirusit.