Në disa shkolla të vendit orët e mësimit do të jenë 30 minuta, tha Zamira Gjini, Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave dhe zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
“Në shkollat e mëdha mësimi mund të zhvillohet i plotë pa turne. Për ndonjë lëndë, ose modul, mësimi mund të zhvillohet online ose në mjedise të hapura”, sqaroi Gjini në një intervistë për News 24, të hënën, pasdite.
Mënyra e organizimit të mësimit në shkolla do të vendoset nga drejtori i shkollës, në varësi të madhësisë së klasave dhe numrit të nxënësve. Sipas ministrise, në klasat e mëdha mund të qendrojnë deri në 17 nxenës.
Gjithashtu, ministria ka parashikuar ndërthurrjen e mësimit fizik me mësimin online dhe në televizion. “Mësuesit po regjistrojnë mësimet në kanalin RTSH shkolla. Për çdo orë mësimi fizik, do të ketë orë mësimore në RTSH dhe në kanalin yuotube të ministrisë së Arsimit”, tha Gjini.
Ajo njoftoi se pushim të gjatë për fëmijët nuk do të ketë dhe shkollat do të dezifektohen nga një turn në tjetër.
Ndërkohë, Gjini tha se ministria ende nuk ka vendosur nëse do të lejojë ose jo qendrat e studimit pas shkollës ose mësimet private.
Në rast të një shpërthimi të infeksionit në shkolla, Gjini tha se “nuk përjashtohet karantinimi i mësuesve dhe fëmijëve të asaj shkolle” sikurse kanë vepruar edhe vendet e tjera evropiane.
Ajo theksoi rëndësinë e edukimit të nxënësve me protokollin e ri anti Covid-19.