Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka takuar, të hënën, kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Haradinaj tha se qëllimi i vizitës ishte për të shprehur mbështetje në këtë moment të vështirë kur dy drejtuesit kryesorë të partisë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ndodhen në Hagë, të akuzuar për krime lufte:
“Qëllimi i vizitës ishte t’i shpreh përkrahje në këto rrethana të reja në mungesë të presidentit Thaçi dhe kryetarit të Veselit dhe zhvillimet që po ndodhin me aktakuzat për krerët e UÇK-së.”
Haradinaj theksoi se pavarësisht përplasjeve politike, ata janë të gjithë UÇK:
“Garat politike agjendat e partive vazhdojnë në mënyrë demokratike, kemi pas gjithnjë mospajtime e rrugëtime ndaras në politikë, por kam qenë në UÇK, Ramush Haradinaj është UÇK, familja ime është UÇK, jam sot UÇK dhe do të jem gjithë jetën UÇK dhe me gjithë ata që kanë qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”