Uji i pijshëm në komunën e Deçanit në Kosovë, ku u infektuan 1500 persona ka rezultuar pa mikrobe. Ky përfundim u arrit pas analizave mikrobiologjike të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë, IKSHPK. Rezultatet e analizave u konfirmuan nga IKSHPK, për Klan Kosova.
Institucioni shtoi se pavarësisht këtyre rezultateve, gjatë ditëve në vazhdim do të merren sërish mostra për testim.
Ky lajm u dha pak ditë më parë edhe nga drejtori i Institutit, Naser Ramadani, i cili u shpreh se rezultatet e fillimit në lidhje me helmimin në Deçan nuk janë nga uji.
Ai theksoi se kjo nuk do të thotë se infeksioni nuk është nga uji por se analiza të tjera do të vazhdojnë të bëhen për të gjetur shkakun.
“Rezultatet laboratorike që kanë dalë sot flasin për momentin se nuk kemi asnjë pistë të helmimit hidrik. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka infeksione hidrike. Por, kjo do të dal pas analizave permanente si të ujit ashtu edhe të analizave të pacientëve. Do të informohemi me kohë”, u shpreh ai.