Dy policët japin dëshmi kontradiktore për vrasjen e Klodian Rashës

Nga Exit News
Dy policët japin dëshmi kontradiktore për vrasjen e Klodian Rashës

Dy policët që ndoqën Klodian Rashën kanë dhënë versione të ndryshme të ngjarjes gjatë dëshmive të tyre për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, SHÇBA.

Nevaldo Hajdaraj, polici i cili vrau 25 vjeçarin Rasha, ka thënë se kishte qëlluar me armë dy herë. Herën e parë ndërsa ishte i rrëzuar në tokë, duke marrë në shënjestër këmbët e viktimës, si dhe herën e dytë teksa ishte në këmbë në ndjekje të Rashës, i cili po shkonte drejt një kthese.

Hajdaraj pretendon se pasi ndoqi Klodian Rashën, ky i fundit i ka drejtuar një mjet në dukje si pistoletë dhe për këtë arsye polici është shtrirë në tokë.

“I shtrirë bëra qitje në drejtim të këmbëve të këtij shtetasi, duke patur frikën se mos më qëllonte,” ka thënë Hajdaraj për SHÇBA-në.

Më pas polici ka treguar se është ngritur në këmbë dhe kur ka parë viktimën të largohet drejt kthesës ,‘ka bërë qitjen e dytë.”

Por polici tjetër i ndodhur në vendngjarje, Erion Gjore, ka treguar se ka parë Hajdarajn dhe viktimën duke u përleshur dhe se të shtënat i ka dëgjuar gjatë përplasjes fizike.

“Përplasja mes tyre ndodhi brenda pak sekondave dhe në një moment kam parë kolegun Nevaldo Hajdaraj të shtrirë në tokë dhe në këtë moment kam dëgjuar dy të shtëna arme zjarri,” ka deklaruar Gjore.

Ekspertiza mjeko-ligjore thotë se Rasha është qëlluar në shpinë me armë zjarri, gjë e cila i ka marrë jetën.

Kontradiktat në historitë e dy policëve të ndodhur në ngjarje janë zbuluar nga raporti i SHÇBA, publikuar nga BIRN.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>