Hipoteza që ka ngritur prokuroria për çështjen e përshirjes së mundshme të Agron Xhafajt në trafikun e drogës është e thjeshtë:
Albert Veliu ka inskenuar një bisedë për pazare droge me mikun e tij Fredi Alizoti, në të cilën ky i fundit është shtirur sikur është Agron Xhafaj. Ky lloj inskenimi është ndihmuar apo është bërë me bashkëpunimin e deputetit demokrat Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi.
Sipas prokurorisë, motivet pse ata janë bërë bashkë për të sajuar këtë inskenim janë:
— Albert Veliu e ka bërë për të krijuar një pretekst për të kërkuar strehim politik jashtë vendit.
— Fredi Alizoti e ka bërë për para, të cilat i janë premtuar nga Albert Veliu, i cili do i merrte paratë nga deputeti Salianji.
— Ervin Salinaji dhe Jetmir Olldashi e kanë bërë për të dëmtuar imazhin dhe figurën e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Prokuroria pretendon se pasi Alizoti e ka kryer “punën” dhe nuk ka marrë paratë nga miku i tij, ai ka vendosur ta denoncojë atë në polici dhe të zbulojë gjithë skemën.
Prokuroria duket se e ka besuar këtë pohim, pra variantin se një trafikant droge me aktivitete të tjera kriminale dhe disa dënime me burg, ka zgjedhur rrugën e një qytetari të ndershëm duke denoncuar në polici një krim të vogël edhe pse kjo do ta rrezikonte atë vetë me burg.
Përveç vetëdeklarimit, policia ka disa përgjime bisedash telefonike në të cilat Alizoti flet me njerëz, me të cilët duket se nuk ka njohje, të cilëve u pohon pa asnjë kontekst bisedor se është ai që ka luajtur rolin e Agron Xhafajt. Në një bisedë mes Veliut e Alizotit, flitet në mënyrë të përgjithshme për një pagesë por pa përmenduar as shifra, as emra dhe as arsyen e pagesës.
Këtë deklarim Alizoti e ka bërë në fillim të qershorit, por, nuk dihet se për çfarë arsye, prokuroria e ka lënë të lirë Alizotin, duke mos e marrë më as në pyetje, deri në fillim të tetorit, pra për rreth katër muaj, kur pa asnjë veprim të ri hetimor ndaj tij ka kërkuar arrestimin dhe mbajtjen në burg të tij.
Por ajo që ngre pikëpyetje serioze ndaj gjithë kësaj hipoteze të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është një kontradiktë thelbësore në gjithë hetimin e saj: e vetmja arsye pse ajo heton akuzën “kallzim të rremë” të ngritur nga Agron Xhafaj kundër Olldashit dhe Salianjit është sepse ajo është bashkuar me hetimin për “trafik të lëndëve narkotike” kundër Agron Xhafajt, të filluar mbas akuzave publike për Xhafajn. (Kallzimi i rremë është krim i lehtë që hetohet nga prokuroritë e rretheve, dhe nga ana proceduriale, në hetimin e tij nuk lejohet përdorimi i përgjimeve telefonike.)
Prokuroria nuk ka dhënë asnjëherë asnjë informacion në lidhje me ecurinë e hetimit për trafikim të drogës në ngarkim të Agron Xhafajt, por fakti që ajo ka nxituar të formulojë akuza konkrete dhe kërkojë masë sigurie në lidhje me “kallzimin e rremë”, me qëllim nxirjen e imazhit të Ministrit Fatmir Xhafaj, nënkupton se Agron Xhafaj nuk është përfshirë në trafik narkotikësh, pasi nëse ai do ishte i përfshirë pretendimi i prishjes së imazhit të Fatmir Xhafajt duke i akuzuar të vëllain për trafikant do ishte absurd.
Kjo situatë mbetet të shikohet në javët e ardhëshme, por duket sikur Prokuroria e Krimeve të Rënda është përfshirë në një situatë absurde: po heton një krim që nuk është kompetencë e saj, duke përdorur metoda që procedurialisht nuk lejohen për hetimin ekskluziv të këtij lloj krimi. Ndërkohë që ka lënë pa hetuar një krim për të cilin është përgjegjësia e saj (pa llogaritur zvarritjen me vite të një sërë hetimesh korrupsioni dhe krimit të organizuar që janë përgjegjësi ekskluzive e saj).