Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti bisedoi, të hënën, Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi për vaksinën anti-covid që Serbia ka futur në veri të Kosovës.
Shqetësimi kryesor i ngritur prej Hotit dhe Varhelyit ishte fakti se vaksina është futur në mënyrë ilegale “pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina”.
Në njoftimin për media, zyra e kryeministri Hoti e quajti të papranueshme nismën e Serbisë:
“Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës kanë iniciuar veprimet e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime.”
Më herët, Prokuroria e Mitrovicës ka nisur dhe hetimet për hyrjen e vaksinave kundër Covid-19 në veri të Kosovës.
Vuçiç tha me 25 dhjetor se vaksinimi në veri të Kosovës po bëhet me vaksinën e kompanive Pfzer e BioNTech, e cila para disa ditëve ka arritur në Serbi. Ai theskoi se Komunat me shumicë serbe funksionojnë sipas sistemit serb. Duke qenë se Serbia ka nisur vaksinimin edhe komunat në veri të Kosovës kanë nisur të njëjtin proces.
Por qeveria në detyrë e Kosovës njoftoi se nuk ka asnjë të dhënë nga doganat dhe nga Policia Kufitare, se në Kosovë kanë hyrë vaksina kundër sëmundjes COVID-19.
Qeveria pohoi, po ashtu, se nuk ka patur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë për këtë çështje.