Kryeministri në ikje i Kosovës Avdullah Hoti e quajti ‘lajm të mirë për Kosovën’, letrën e Presidentit amerikan Joe Biden drejtuar Presidentit serb Vuçiç ku i kërkonte njohjën e pavarësisë së Kosovës.
Në një postim në Facebook, të dielën, Hoti u shpreh se “letra e Presidentit Biden, dërguar Presidentit të Serbisë për njohjen e Kosovës, është një dëshmi për lidhjen e veçante midis dy vendeve, miqësinë e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova, sa herë që thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq.”
Në një letër dërguar Vuçiçit për ditën kombëtare të Serbisë, Biden i shprehu atij qëndrimin e Amerikës se dialogu mes dy vendeve duhet të përfundojë me ‘njohje të ndërsjelltë’.
Si reagim ndaj mesazhit, Vuçiç u tha gazetarëve se Serbia është e gatshme të vazhdojë dialogun me Kosovën por ajo nuk do ta njohë atë, njoftoi agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
Ai tha se kjo kërkesë është një politikë e re nga Shtetet e Bashkuara, e cila nuk gjendet në asnjë dokument ndërkombëtar dhe të cilën ai e respekton, sikurse respekton edhe pozicionet e Rusisë dhe Kinës që kundërshtojnë të njohin Kosovën.