Njëzetë e nëntë vite pas rrëzimit të regjimit komunist Shqipëria vazhdon të mos ketë ndërgjegjësimin e duhur rreth krimeve dhe pasojat e diktaturës. Për to mësohet pak nëpër shkolla, kurrikula nuk i ka kushtuar shumë vëmendje ndërsa shoqëria në përgjithësi nuk ka shumë informacion duke e lënë të shkuarën në harresë pa reflektim dhe pa përballje.
Sipas Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, diktatura në Shqipëri dënoi politikisht 34 mijë njerëz dhe internoi rreth 60 mijë të tjerë. Rreth 1 mijë humbën jetën burgjeve ndërsa mbi 6 mijë të tjerë mendohet se u vranë nga regjimi. Por pavarësisht këtyre shifrave, të cilat e rreshtojnë diktaturën shqiptare ndër sistemet totalitare më të egra të Evropës, ndërgjegjësimi ka qenë i vogël gjatë këtyre viteve.
Prej vitit 2016, Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë, – me mbështetje të Fondacionit Konrad Adenauer, – po përpiqet ta ndryshojë situatën duke organizuar, bashkë me aktorë të tjerë të fushës së kujtesës, Ditët e Kujtesës.
Organizimi i këtij viti nis më 13 shkurt dhe parashikon një seri prej 10 aktivitetesh që vazhdojnë deri më datë 20 ku parashikohet edhe përmbyllja e një konkursi mes gjimnazistëve të quajtur Pyet Gjyshërit.
Gjithçka nis me ekspozitën ndërkombëtare “Totalitarizmi në Europë”, e cila hapet më 13 shkurt në Sheshin Skënderbej. Ekspozita hapet në Tiranë pasi është shfaqur në dhjetëra shtete të Evropës, si Holandë, Belgjikë, Gjermani, Poloni, Çeki, Sllovaki etj. Ajo përcjell informacione me grafiqe dhe fotografi rreth viktimave të sistemeve komuniste, naziste dhe fashiste të mbi 13 shteteve të Evropës.
Pas kësaj, në ceremoninë e hapjes, që organizohet pasditen e së enjtes në Hotel Tirana, studiues të njohur si profesori gjerman Jörg Baberowski, profesori rumun Radu Pred dhe publicisti austriak Paul Lendvai do të tregojnë për totalitarizmin në Austri, Poloni dhe Gjermani. Një rast unik ky për Shqipërinë për të përfituar përvojë nga vendet e tjera, të cilat kanë mundur ta përballin më suksesshëm historinë e shkuar të diktaturave.
Në ditët e tjera do të ketë konferencë ndërkombëtare për kurrikulën shkollore, prezantim të disa publikimeve, një dokumentar, ekspozitë me fotografi, diskutim për persekutimin e popullsisë çame nga regjimi komunist, do të ekspozohen dosje të ish-Sigurimit të Shtetit dhe më 20 shkurt do të shpallen gjimnazistët fitues të konkursit Pyet Gjyshërit.
Ndër vite Ditëve të Kujtesës i janë bashkuar ambasada, organizata dhe institucione të ndryshme si për shembull ambasada austriake, ambasada polake, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Shtëpia e Evropës etj.