Ilir Meta ka propozuar sot miratimin me konsensus të reformës dhe krijimin menjëherë të një qeverie tenike që do përgatisë zgjedhje të parakohshme.
Këtë zgjidhje ai e ka justifikuar me klimën e mosbesimit që ekziston jo vetëm mes palëve politike, por edhe nga publiku për politikën në përgjithësi:
“Miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues i lodhshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen jam i bindur se rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush.”
Kryetari i Kuvendit dhe i LSI-së e ka shkuar më tej duke lënë të kuptohet se LSI mund ta detyrojë një zgjidhje të tillë duke lëvizur në mënyrë të njëanshme:
“Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi të jap dorëheqjen nga ky moment nga kryetar i parlamentit nëse i shërben kompromisit. Ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrën që ne të detoksikojmë këtë klimë helmuese të egër e të papranueshme.
…Pas reformës në drejtësi, le të shpërndahemi dhe pastaj edhe ne kryetarët e partive të shohim listat. Jam i gatshëm të jap dorëheqjen për miratimin e reformës në drejtësi.”
Ilir Meta ka dëshmuar edhe një arsye të rëndësishme për këtë shkëputje të dukshme nga partneri i tij Edi Rama. Ai ka denoncuar, indirekt, një fushatë—me gjasa të nxitur nga PS—për krijimin e opinionit se të huajt kanë vendosur se objektivi i parë i reformës në drejtësi është Ilir Meta.
“S’ka konsensus duke thënë se do të shkosh në burg. Nuk bëhet reformë duke thënë ‘do shkosh ti në burg’. Reforma dhe konsensusi, atë që do Uashingtoni, Brukseli dhe qytetarët shqiptarët bëhet duke thënë ‘unë do shkoj në burg’, nëse kam shkelur ligjin. Vetëm duke folur kështu ne mund t’i japim vendit një Kushtetutë të re. Reforma nuk bëhet për zgjedhjet e radhës, por për 30 vitet që vijnë në këtë vend,” — është shprehur Zoti Meta.
Së fundmi, Zoti Meta ka çuar më tej një propozim të Ambasadorit Lu, duke kërkuar që takimi për arritjen e një konsensusi të zgjerohet edhe me Ambasadorët Lu dhe Vllahurin dhe vetë atë, krahas zotërinjve Rama e Basha.
“Kam një propozim të ri për ambasadorin Lu. Ftoj Ramën, Bashën dhe ambasadorët Lu e Vlahutin të mbyllen në Kuvend. Edhe mua si ambasadorit Lu po më soset durimi,” ka pohuar Zoti Meta.