
Drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve në Gjirokastër Arjanit Muho dhe financierja Klodiana Qirushi janë infektuar me Covid-19, pas marrjes së dozës së parë.
Sipas mediave ata janë vaksinuar disa ditë më parë në kuadër të procesit të vaksinimit në vend.
Ky është rasti i dytë i infektimit pas marrjes së dozës së parë. Më herët mjeku infeksionist Pëllumb Pipero u infektua me Covid-19, pasi mori dozën e parë të vaksinës.
Në vende të ndryshme të botës ku ka nisur vaksinimi, janë raportuar disa raste të infektuarish pas dozës së parë.
Ekspertë ndërkombëtarë, por dhe nga Instituti i Shëndetit Publik kanë sqaruar se vaksina anti-Covid është e vlefshme dhe krijon imunitet, vetëm nëse bëhen të dyja dozat e saj, siç e kërkon protokolli i kompanive prodhuese.