Aksioni i qeverisë kundër informalitetit në sezon turistik ka goditur edhe administratën publike.
Policia njoftoi sot se kishte arrestuar 5 nëpunës të shtetit për shpërdorim detyre, ndërsa ndaj 25 të tjerëve tha se kishte nisur hetimet po me të njëjtën akuzë.
Lutfi Minxhozi, drejtues i Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike, tha në një konferencë për shtyp se aksioni policor ishte koordinuar me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Doganat dhe autoritetet lokale dhe se shkonte paralelisht me përpjekjen e qeverisë për të luftuar informalitetin.
Edhe pse nuk u përmend asnjë emër nga të arrestuarit, njëri prej tyre u tha se është drejtues i një njësie administrative në Fier, ndërsa katër të tjerët janë punonjës të tatim-taksave në Bashkinë e Shkodrës.
Aksioni policor ndaj nëpunësve vjen pas një serie kontrollesh ndaj bizneseve në pikun e sezonit turistik.
Sipas Minxhozit autoritetet kanë ushtruar mbi 800 kontrolle, nga të cilat 467 në shërbimet e vend-pushimeve në plazhe, 162 lokale, 83 hotele.
Minxhozi tha se policia kishte pikasur 89 raste shkeljesh të ligjit dhe se për këto qenë nisur procedurat e ndjekjes penale, por për këto raste Minxhozi nuk dha shifra apo emra.
Sidoqoftë ai tha se shkeljet ishin: mos-lëshim kuponi tatimor, fshehje e të ardhurave, ushtrim aktiviteti pa leje, mospagim i taksave dhe tatimeve, ndërtim i paligjshëm etj.
Dyshohet se nëpunësit e ndjekur penalisht nga policia kanë favorizuar këto aktivitete në zonat e tyre.
Për të Minxhozi paralajmëroi se “vëmendja kryesore e Policisë do të përqendrohet në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin penal të çdo zyrtari bashkiak, tatimesh, doganash etj, të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrat dhe kanë lejuar informalitetin”.