Ish-kryeprokurori i EULEX-së, John Clint Williamson ka mohuar përfshirjen e kreut të PD-së Lulzim Basha në procesin e hetimeve për trafikun e organave nga ish-drejtuesit e UÇK-së.
Në një intervistë për OraNews, të shtunën, Williamson deklaroi:
“Nuk dua të hyj në çështje të brendshme politike në Shqipëri ama sugjerimet se Lulzim Basha është i përfshirë në hetimin e trafikimit të organeve janë kategorikisht të pa vërteta.”
Ai sqaroi se çfarë roli ka pasur Basha në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë:
“Në kohën që unë isha drejtues i gjyqësorit në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë në 2002, Lulzim Basha punonte në zyrën time si ndihmës i posaçëm dhe oficer ligjor.”
Duke sqaruar më tej fillimin e hetimeve për akuzat e trafikimit të organeve, Williamson tha se ‘e ka përjashtuar qëllimisht Bashën nga hetimet’ pasi nuk ishte prokuror:
“Kur ato akuza mu sollën nga një gazetar amerikan gjatë asaj kohe, ne zhvilluam një hetim paraprak, por nuk përparuam shumë në ketë çështje, pasi në atë kohë shumica e atyre akuzave ishin të bazuara në ngjarje që supozohej se kishin ndodhur në Shqipëri dhe ne nuk kishim autoritetin për të zhvilluar hetime aty.
Për këtë gjë fola me kreun e misionit të OKB-së Michael Shiner dhe ai më autorizoi që t’ia kaloja informacionin Karla del Pontes, kryeprokurores së krimeve të rënda për ish-Jugosllavinë. Pra ata e morën çështjen.
Por gjatë kohës që ne në UNMIK po kryenim verifikime, e përjashtova qëllimisht Lulzim Bashën që të përfshihej në hetim. Sepse, siç e thashë ai ishte një ndihmës ligjor pranë meje dhe nuk ishte prokuror.”
Më pas në vitin 2014, kur Williamson shkroi raportin përfundimtar për hetimet, Basha nuk ka qenë më fare pjesë e ekipit, pasi prej vitesh ishte i përfshirë në politikën shqiptare:
“Në 2014, ai nuk kishte asnjë lidhje me këtë raport, aspak. Unë po kthehem pas në kohë në periudhën kur ai punonte në UNMIK në 2002. Ai nuk kishte asnjë rol në hetim gjatë asaj kohe. Nga viti 2011 deri në 2014 ai ishte një funksionar i qeverisë shqiptare.
Ne nuk kemi komunikuar fare me qeverinë shqiptare në lidhje me ecurinë e hetimit. Pra ai nuk kishte asnjë rol si gjatë kohës që ka punuar në UNMIK dhe as kur ishte kreu i Bashkisë së Tiranës. Pra ai nuk ka pasur asnjë rol në asnjë periudhë kohore kur unë po merresha me këtë çështje.”
Ambasadori Clint Williamson ishte Kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hetuese të BE-së (SITF) në 2011, i cili filloi hetimet për krime të dyshuara nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë dhe pas Luftës së Kosovës.
Për më shumë rreth qëndrimeve të tij për hetimin e ish-liderëve të UÇK-së mund të lexoni këtu.