
Aeroporti Fiumicino i Romës do të testojë për kovid pasagjerët që do të udhëtojnë nga dhe për në Shtetet e Bashkuara në linjat Delta Air Lines dhe Alitalia. Vendimi u njoftua të enjten, duke shtuar se Fiumicioni do të jetë aeroporti i parë në Evropë që ofron këtë shërbim në fluturimet transatlantike.
Nga dhjetori, pasagjerët që fluturojnë midis Romës dhe SHBA-ve mund të testohen për koronavirus 48 orë para nisjes dhe pas mbërritjes në aeroport, për të shmangur karantinën e detyrueshme 14-ditore që Italia u imponon udhëtarëve.
Protokolli i ri do të jetë i vlefshëm për ata që fluturojnë nga New York, Newark dhe Atlanta.
Në një deklaratë të veçantë, Delta Air Lines tha se do të rihapte itineraret e saj me Romën në 19 dhjetor, për ata që udhëtojnë për arsye pune, shëndetësore ose studimi.
Ky vendim mendohet të merret edhe për fluturimet me Mynihun, dhe Frankfurtin.