Nën moton “shëndeti mbi të gjitha”, qeveria italiane e çoi sot në €25 miliardë fondin e përgjithshëm të vënë në dispozicion për të përballuar situatën me koronavirusin.
Qeveria e Kryeministrit Giuseppe Conte miratoi sot paketën e masave të pagëzuara si “shpëtojmë ekonominë” e vetëdijshme se ky plan masash mund të ndikojë që buxheti i vitit 2020 të mbyllet deri dhe me 3 për qind defiçit.
Sipas planit të qeverisë italiane:
- do të buxhetohen direkt €12 miliardë për masat e menjëhershme kundër koronavirusit
- me mbështetje nga BE-ja, për masat afatgjata do të sigurohen €13 miliardë të tjera
Paketa prej 25 miliardë eurosh ka gjetur dritën jeshile nga BE-ja, ku Komisionerja Margrete Vestager është shprehur e gatshme të punojë me qeverinë e Contes për masat dhe problemet e ekonomisë me të cilat po haset Italia.
Nga ky fond, mbështetje të menjëhershme do të marrin strukturat shëndetësore dhe ato të emergjencës civile. Për zonat e goditura më shumë nga koronavirusi do të rishikohet paketa fiskale.
Mbështetje për sistemin e shëndetësisë
Nga masat urgjente është parashikuar
- angazhimi me shpërblim direkt i 5 000 mjekëve, nga tregu i të papunëve, studentëve në specializim dhe atyre që janë në pension.
- angazhimi i 15 000 infermierëve dhe punonjësve sanitar dhe 320 njësive ushtarake të mjekësisë.
- nga Kina është siguruar një ekip me 5 mjekë ekspertë të epidemive.
Mbështetje për të punësuarit
“Askush nuk do ta mbetet pa punë prej koronavirusit” – është zotuar qeveria e Contes, e cila ka parashikuar si masa:
- përjashtim i të vetëpunësuarve nga detyrimi për të paguar kontribute shoqërore
- fond i posaçëm për të mbështetur në paga sipërmarrjet me 5 deri në 15 punonjës
- ndërprerjen për 18 muaj të shlyerjes së kredive të shtëpive për familjet që ndikohen nga ndërprerjet, apo reduktimet e orareve të punës
- bonus prej 600 eurosh për dado për fëmijët e prindërve që nuk shkëputen dot nga puna
Mbrëmjen e së mërkurës totali i rasteve me koronavirus në Itali shkoi në 12 462 persona, prej të cilëve 1 045 janë shëruar dhe 827 kanë vdekur.
Prej 10 marsit, Italia ka kaluar në karantinë kombëtare, duke pezulluar totalisht lëvizjet dhe aktivitetet.