Italia 25 miliardë euro plan emergjent për të përballuar koronavirusin

Nga Exit News
Italia 25 miliardë euro plan emergjent për të përballuar koronavirusin

Nën moton “shëndeti mbi të gjitha”, qeveria italiane e çoi sot në €25 miliardë fondin e përgjithshëm të vënë në dispozicion për të përballuar situatën me koronavirusin.

Qeveria e Kryeministrit Giuseppe Conte miratoi sot paketën e masave të pagëzuara si “shpëtojmë ekonominë” e vetëdijshme se ky plan masash mund të ndikojë që buxheti i vitit 2020 të mbyllet deri dhe me 3 për qind defiçit.

Sipas planit të qeverisë italiane:

  • do të buxhetohen direkt €12 miliardë për masat e menjëhershme kundër koronavirusit
  • me mbështetje nga BE-ja, për masat afatgjata do të sigurohen €13 miliardë të tjera

Paketa prej 25 miliardë eurosh ka gjetur dritën jeshile nga BE-ja, ku Komisionerja Margrete Vestager është shprehur e gatshme të punojë me qeverinë e Contes për masat dhe problemet e ekonomisë me të cilat po haset Italia.

Nga ky fond, mbështetje të menjëhershme do të marrin strukturat shëndetësore dhe ato të emergjencës civile. Për zonat e goditura më shumë nga koronavirusi do të rishikohet paketa fiskale.

Mbështetje për sistemin e shëndetësisë
Nga masat urgjente është parashikuar

  • angazhimi me shpërblim direkt i 5 000 mjekëve, nga tregu i të papunëve, studentëve në specializim dhe atyre që janë në pension.
  • angazhimi i 15 000 infermierëve dhe punonjësve sanitar dhe 320 njësive ushtarake të mjekësisë.
  • nga Kina është siguruar një ekip me 5 mjekë ekspertë të epidemive.

Mbështetje për të punësuarit

“Askush nuk do ta mbetet pa punë prej koronavirusit” – është zotuar qeveria e Contes, e cila ka parashikuar si masa:

  • përjashtim i të vetëpunësuarve nga detyrimi për të paguar kontribute shoqërore
  • fond i posaçëm për të mbështetur në paga sipërmarrjet me 5 deri në 15 punonjës
  • ndërprerjen për 18 muaj të shlyerjes së kredive të shtëpive për familjet që ndikohen nga ndërprerjet, apo reduktimet e orareve të punës
  • bonus prej 600 eurosh për dado për fëmijët e prindërve që nuk shkëputen dot nga puna

Mbrëmjen e së mërkurës totali i rasteve me koronavirus në Itali shkoi në 12 462 persona, prej të cilëve 1 045 janë shëruar dhe 827 kanë vdekur.

Prej 10 marsit, Italia ka kaluar në karantinë kombëtare, duke pezulluar totalisht lëvizjet dhe aktivitetet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>