Italia raportoi të dielën 431 viktima të tjera nga Covid-19, çka ishte numri më i ulët i vdekjeve nga koronavirusi që prej 19 marsit, por që megjithatë e çoi totalin në afro 20 mijë të vdekur.
Të dielën autoritetet italiane kaluan kufirin e 1 milionë personave të testuar, nga të cilët 156 363 janë diagnostikuar me Covid-19.
Prej të infektuarve, mbi 71 mijë janë të mbyllur nëpër shtëpi, 27 847 janë të shtruar në spital, 34 211 janë shëruar dhe 19 899 kanë vdekur.
Rajoni më i prekur mbetet Lombardia me rreth 60 mijë të infektuar dhe 10 621 viktima.
Mbi 100 mjekë kanë vdekur nga Covid-19 në Itali, ndërsa rreth 14 mijë të tjerë janë të infektuar.
Shteti i parë evropian që përjetoi shpërthimin e pandemisë, po njeh këto ditë një prirje në ulje të vdekjeve, çka ka ngjallur optimizëm se situata mund të lehtësohet edhe më shumë ditët në vazhdim.
Në Evropë Covid-19 ka vrarë mbi 75 mijë persona, ndërsa në botë janë regjistruar mbi 110 mijë nga afro 1,8 milionë persona të infektuar.