Java e fundit e janarit, ka qenë java me numrin më të madhe të infektimeve që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri.
Në emisionin “Me pak fjalë” u argumentua se rreziku ndaj pandemisë nuk është ulur por përkundrazi, është rritur.
Nga 25 – 31 janar janë regjistruar mbi 5,800 të infektuar duke e bërë tremujorin e kaluar periudhën më të rëndë për Shqipërinë.
Që prej marsit janë regjistruar në total 79,934 të infektuar me COVID-19 dhe 72% e tyre janë nga Nëntori në Janar, 56,944 raste.
Aktualisht, janë 29,323 persona të sëmurë me COVID-19, që është më shumë se një e treta e totalit të rasteve.
Rritja e numrit të rasteve ka ardhur edhe si pasojë e numrit të testimeve. Megjithatë, gjatë tre muajve të fundit janë shënuar edhe më shumë vdekje nga COVID-19.
Nga 1,398 viktima, 871 janë të muajt nëntor, dhjetor dhe janar, rreth 63%.
Kjo rritje e numrave tregon se pavarësisht se kanë kaluar 11 muaj, rreziku i infektimit me koronavirus nuk është ulur por tani është në periudhën më të rëndë.