Japonia ofron falas për Shqipërinë ilaçin që po jep përmirësime tek të infektuarit

Nga Exit News
Japonia ofron falas për Shqipërinë ilaçin që po jep përmirësime tek të infektuarit

Qeveria japoneze do të ofrojë falas për Shqipërinë ilaçin Avigan që po përdoret tek pacientet me Covid-19 nga disa vende dhe po jep rezultate pozitive.

Lajmin e dha ambasadori japonez në Tiranë Makoto Ito, i cili sqaroi se Japonia do ta sigurojë këtë ilaç për 20 shtete, mes të cilëve dhe Shqipëria.

“Qeveria jonë ka vendosur që t’i sigurojë falas ilaçin Avigan në më shumë se 20 vendeve që duan të përdorin këtë medikament anti-gripal për të trajtuar pacientët me koronavirus ndërkohë që provat klinike vazhdojnë. Shqipëria është një ndër ato 20 vende të cilat do ta marrin këtë ilaç,” u shpreh ambasadori Ito në një intervistë për Report Tv.

Siç Exit News ka shpjeguar më parë, medikamenti Avigan ose siç njihet dhe me emrin Favipiravir, i zhvilluar nga Fujifilm, është përdorur tek pacientët me Covid-19 dhe ka dhënë rezultate inkurajuese në provat klinike tek pacientët në Wuhan dhe Shenzhen.

Pacientët të cilëve u është dhënë medikamenti në Shenzhen u negativizuan ndaj virusit pas mesatarisht katër ditësh, në ndryshim ndaj pacientëve të cilët nuk i janë nënshtruar këtij mjekimi, të cilët rezultuan negativë pas mesatarisht 11 ditësh.

Mjekët në Japoni po përdorin të njëjtin medikament në studimet klinike mbi pacientët me koronavirus me simptoma të buta e të moderuara, me qëllim që të kontrollohet disi përhapja e virusit në popullsi

Për më tepër, grafitë e bëra ndaj pacientëve të mjekuar më të, konfirmuan përmirësime në gjendjen e mushkërive në rreth 91% të pacientëve që ishin trajtuar me Favipiravir, krahasuar me 62% të pacientëve të tjerë.

Fujifilm Toyama Chemical, e cila ka zhvilluar medikamentin – në vitin 2014, nuk ka pranuar të komentojë mbi këto gjetje.

Deri më sot Japonia ka raportuar 6005 raste të konfirmuara pozitive me COVID-19 dhe 99 vdekje.

Më 7 prill, kryeministri japonez shpalli gjendjen e emergjencës në formën e një izolim të butë një mujor, duke mbyllur klubet e natës, pubet, shkollat, kafenetë dhe restorante. Por transporti publik është ende funksional dhe disa institucione vijojnë punën, megjithëse me personel të reduktuar në masën 70-80 për qind.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>