Mikrobi është kthyer. Kështu ju referua Jaques Delors ish-Presidenti legjendar i KE-së, ndarjeve dhe mosdakordësisë mes udhëheqësve evropian përballë sfidave që po kalon BE, në veçanti për krizën e koronavirusit.
“Klima që duket se sundon mes kryetarëve të shteteve dhe qeverive dhe mungesa e solidaritetit evropian përfaqësojnë një rrezik vdekjeprurës për Bashkimin Evropian”, tha Delors.
Komenti i tij ka ardhur pas mungesës së dakordësisë mes udhëheqësve të BE-së për të ndihmuar Italinë, Spanjën, dhe Francën, për të përballuar koston e koronavirusit përmes lëshimit të një bondi të përbashkët të të gjitha vendeve të BE-së, të quajtur koronabond.
Këto vende po i kërkojnë BE-së që të merret borxh në emër të të gjithë BE-së për të siguruar me kosto më të ulët se sa po të marrin borxh veçmas, Italia, Franca ose ndonjë vend tjetër. Ky borxh të merret në tregjet financiare përmes lëshimit të një bondi, të mbështetur nga të gjitha vendet evropiane, në këtë mënyrë interesi i borxhit ulet shumë.
Por ky propozim nuk është pranuar nga Hollanda dhe nga Gjermania. Ato i druhen se shpenzimet e larta të vendeve do të hapin krizën edhe në vendet e tjera të BE-së, dhe do të minojë qendrueshmërinë e euros.
Zhak Delors, ka qënë Presidenti legjendar i KE-së nga viti 1985 deri në vitin 1995, një nga arkitektët kryesor të bashkimit monetar dhe të monedhës së përbashkët , euro.