Presidenti i SHBA Joe Biden ka premtuar një përgjigje më të fuqishme të qeverisë amerikane ndaj Covid-19 dhe nën drejtimin e tij, SHBA do të ndryshojë planin e vaksinimit duke u bashkuar me programin Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ky program synon shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Këshilltari i presidentit të ri, Anthony Fauci tha në një komunikim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, një ditë pas betimit të Biden se qeveria e re do i bashkohet planit të tyre.
“Shtetet e Bashkuara planifikojnë të përmbushin detyrimet e tyre financiare kundrejt organizatës. Amerika e konsideron bashkëpunimin teknik në të gjitha nivelet si themel të marrëdhënieve tona me OBSH-në.
Kam gjithashtu kënaqësinë të njoftoj se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të punojnë në mënyrë të gjithanshme për t’iu përgjigjur nevojës për rikuperim nga pandemia”, tha ai.
Të mërkurën OBSH tha se po planifikon miratimin e disa vaksinave kundër Covid-19 nga prodhuesit perëndimorë dhe kinezë në javët dhe muajt e ardhshëm.
Ky vendim i OBSH vjen pasi ajo synon t’i përhapë vaksinat në vendet e varfra
Dy ditë më parë OBSH bëri thirrje për solidaritet dhe kritikoi vendet e pasura që nuk kanë lënë hapësirë që vaksinat të shpërndahen dhe në vendet e varfra.