Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell do të vizitojë javën e ardhshme Kosovën dhe Serbinë, raporton European Western Balkans. Në fillim ai do të vizitojë Prishtinën dhe më pas Serbinë.
Borrel më 15 janar bisedoi në telefon me presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç.
Sipas Radio Europa e Lirë, në këto biseda Borrell ka shfaqur gatishmërinë që ai personalisht të vazhdojë të ndërmjetësojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në bisedat me dy presidentët, Borrell foli edhe për përgatitjet për samitin e Zagrebit, midis përfaqësuesve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet në fillim të muajt maj, raporton Radio Europa e Lirë.
Ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, po ashtu, do të vizitojë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin. Grenell, i cili është edhe i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet paqësore Kosovë – Serbi, të enjten do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.